Në Japoni shpiket televizori që kur lëpihet, jep shije ushqimesh

  • G.G /
  • 23 December 2021 - 13:34
Në Japoni shpiket televizori që kur lëpihet, jep shije ushqimesh

Një profesor japonez ka zhvilluar një prototip të ekranit televiziv që mund ta lëpini dhe t’ua japë shijen e ushqimeve.

Pajisja e quajtur “Taste the TV” (“Shijoje televizorin”) përdor një grup prej 10 bombolave të shijes, të cilat spërkatin në kombinim për ta krijuar shijen e një ushqimi të caktuar.

Në epokën e koronavirusit, ky lloj i teknologjisë mund ta përforcojë mënyrën se si njerëzit lidhen dhe ndërveprojnë me botën e jashtme, tha Homei Miyashita, profesor në Universitetin Meiji në Tokio.

“Qëllimi është që të bëhet e mundshme që njerëzit të përjetojnë diçka si ngrënia e picës në restorant në anën tjetër të botës, edhe pse janë duke qëndruar në shtëpi”, shtoi ai.

Profesori japonez tha se prototipin e ekranit e ka zhvilluar gjatë vitit të kaluar dhe se versioni komercial do të kushtonte rreth 100.000 jenë ose rreth 770 euro, shkruan The Guardian.

Yuki Hou, studente në Universitetin Meiji, e demonstroi shijimin e ekranit para gazetarëve, duke thënë se ajo dëshiron që ekrani ta ketë shijen e çokollatës së ëmbël. Pas disa përsëritjeve, një zë i automatizuar e përsëriti porosinë dhe studentja tha: “Është një lloj si çokollatë me qumësht. Është e ëmbël si salca e çokollatës.”

(Kosova Sot Online)