Apeli merr një vendim për rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

  • E.K /
  • 24 December 2021 - 09:29
Apeli merr një vendim për rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në rastin ku ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të tjerët, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Apeli ka bërë me dije se është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësitë e të pandehurve.

Të pandehurit Dh.H., F.M., D.Sh., K.C. dhe N.O. secili veç e veç akuzohen për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2. lidhur me nenin 71, paragraf 1. të KPRK”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 1 shtator të këtij viti. 

Ky rast gjykohet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 24.12.2021 – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve Dh.H., F.M., D.Sh., K.C. dhe N.O., ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, PS.nr.31/2021 të datës 12.10.2021.

Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësitë e të pandehurve.

Të pandehurit Dh.H., F.M., D.Sh., K.C. dhe N.O. secili veç e veç akuzohen për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2. lidhur me nenin 71, paragraf 1. të KPRK.

Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në shtojcë të kësaj komunikate gjendet aktvendimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)