Prokurori në pushim vjetor, shtyhet gjykimi për trashëgim të pronës me dokument të rremë

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 13:09
Prokurori në pushim vjetor, shtyhet gjykimi për trashëgim të pronës me dokument të rremë

Për shkak se prokurori i rastit Kastriot Memaj është në pushim vjetor dhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk mund të asistojë askush, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit, S.M, i cili ngarkohet se e ka vënë në lajthitje gjykatën duke trashëguar 47 ari me dokument të rrejshëm.

Gjyqtari i rastit, Njazi Morina tha se seanca e sotme nuk do të mbahet pasi që mungon përfaqësuesi i prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë me datën 28 dhjetor ka lajmëruar gjykatën se nuk mund të asistojnë, me arsyetimin se prokurori i çështjes, i cili ka asistuar ne çdo seancë në këtë shqyrtim gjyqësor është në pushim vjetor dhe prokurorët e tjerë nuk mund të asistojnë“, tha gjyqtari Morina.

Tutje gjyqtari shtoi se të gjitha palët në procedurë janë lajmëruar me kohë për arsyet e mosmbajtjes së kësaj seance.

Ndryshe në seancën e së mërkurës ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari O.G.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shkurt 2015 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, S.M ngarkohet se më 3 qershor 2014, në Malishevë, ka vënë në lajthim Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, saktësisht gjyqtarin Haki Kryeziu, i cili vërteton një çështje të pavërtetë me aktgjykimin e 3 qershorit 2014, me të cilin gjykata refuzon kërkesëpadinë e paditësve S., R., A., H., M., N. dhe H.M nga Malisheva, ndaj të paditurve R., S., M, J, N, R, N, M, S dhe H.M.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari S.M ka prezantuar dokumentin e rrejshëm se ka ekzistuar një person me emrin Rr.M që ka pasur në pronësi  ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 47 ari në Malishevë, e që pastaj e ka trashëguar te pala e paditur, e që gjykata është vënë në lajthim duke vërtetuar pronësinë sipas trashëgimisë, edhe pse kjo pronë ka qenë e familjes së të dëmtuarit S.M, tani i ndjerë.

Me këtë, i akuzuari ngarkohet me veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

(Kosova Sot Online)