E moshuara mbijeton 5 ditë në veturën e rrokullisur duke pirë ujë shiu

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 10:33
E moshuara mbijeton 5 ditë në veturën e rrokullisur duke pirë ujë shiu

Një grua 68-vjeçare nga shteti i Uashingtonit në ShBA ka treguar se si arriti të mbijetonte për pesë ditë e ngujuar në veturën e saj të rrokullisur duke pirë ujë shiu në temperatura të ulëta.

Lynnell McFarland ishte duke u kthyer në shtëpinë e saj në Spokane Valley më 18 nëntor, kur vetura e saj rrëshqiti në akull dhe u rrokullis, shkruan Independent.

Vetura e tipit “Mitsubishi Eclipse” ra në një hendek mes dy drurëve rreth 30 metra larg rrugës “Highway 97”, duke i shkaktuar drejtueses thyerje të duarve dhe gjurit.

Zonja McFarland tha se telefonin, çizmet dhe shishet me ujë i kishte në pjesën e përparme të veturës, aty ku vendosen këmbët, por nuk mund t’i kapte për shkak të lëndimeve.

Kur ajo nuk iu përgjigj telefonatave, vajza e saj, Amanda McFarland, e raportoi të zhdukur një ditë më vonë. Policët e gjetën vendndodhjen e gruas së moshuar.

Ajo tha se kishte parë një polic dhe disa gjahtarë më vonë, por ata nuk e kishin vërejtur veturën për shkak të drurëve.

“Kur anova prapa për ta prerë rripin e sigurisë, i pashë eshtrat e mi”, tha ajo për një gazetë lokale. Me kalimin e ditëve, e moshuara thotë se lutej dhe se i kishte ndier duart e prindërve përreth saj.

McFarland nuk kishte ushqim dhe mbijetoi pesë ditë duke e lëpirë ujin e shiut nga qeset e plastikës. Ajo dhe vetura e saj u gjetën më në fund nga Departamenti i Transportit pas pesë ditësh nga aksidenti.

(Kosova Sot Online)