Nisin hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit në Ferizaj

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 11:14
Nisin hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit në Ferizaj

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit nga fshati Saraishtë i Ferizajt. Fëmija u përfshi nga flakët teksa po qëndronte në një nga dhomat e shtëpisë.

Prokuroria po e trajton rastin në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Duke ju referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë për shkak të dyshimit të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Shtëpi në fshatin Saraishtë të Ferizajt është përfshirë nga zjarri të shtunën që lam pas. Tragjedia e gjithë kësaj ngjarje ishte se në ato momente në një nga dhomat e shtëpisë ndodhej një fëmijë 3 vjeç. Si pasojë e flakëve të mëdha, fëmija kishte pësuar lëndime të rënda trupore duke iu djegur trupi mbi 75%.

Pasi u trajtua dy ditë në QKUK, fëmija vdiq si pasojë e plagëve të mëdha.

Dyshimet e para mbi shkaqet e zjarrit lidhen me një problem me rrymën. E për këto dyshime në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it.

Lidhur me këtë rast Zyra për Komunikim në KEDS në një përgjigje për Express ka thënë se ekipet në vendin e ngjarjes kanë marrë të dhënat dhe janë duke i analizuar ato për krijimin e një raporti.

Pasi raporti në fjalë nuk ka përfunduar akoma, KEDS ka kërkuar që palët të përmbahën nga konkludimet lidhur me shkaqet e zjarrit.

“Ekipet e KEDS kanë qenë në vendin e ngjarjes, i kanë marrë të dhënat, janë duke i analizuar ato dhe do ta përpilojnë një raport profesional ne baze te atyre te dhenave. Pasi raproti nuk eshte i gatshem ende, KEDS lut të gjitha palët të përmbahen nga konkludimet lidhur me shkaktarin e zjarrit”, thuhet në përgjigjen e KEDS.

(Kosova Sot Online)