Dyshohet se falsifikuan dokumentacionin për të fituar tenderin mbi 1 milion euro, ngritet aktakuzë për tre prizrenasit

  • S.A /
  • 31 December 2021 - 11:59
Dyshohet se falsifikuan dokumentacionin për të fituar tenderin mbi 1 milion euro, ngritet aktakuzë për tre prizrenasit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorin publik”.

Sipas aktakuzës, me 26 qershor të vitit 2020,  në Prizren të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronar dhe persona përgjegjës të  kompanisë, në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dashje shkelin rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, dhe paraqesin dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë procedurë, në atë mënyrë që në procedurën e prokurimit me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.

Autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit dhe të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar,  me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 euro.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve – personave juridik dhe G.P., S.S., B.S., – persona përgjegjës në kuadër të personave juridik, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 31, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 31,  Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me 26 qershor të vitit 2020,  në Prizren, saktësisht në Kuvendin Komunal të Prizrenit, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronar dhe persona përgjegjës të  personit juridik, në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dashje shkelin rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, dhe paraqesin dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë procedurë, në atë mënyrë që në procedurën e prokurimit me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit, të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar,  me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro (një milion e treqind e nëntëdhjetë e katërmijë e tetëqind e pesëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë cent), në të cilën shumë e dëmtojnë Buxhetin e Republikës së Kosovës. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme, po ashtu falsifikon listën e punëtorëve duke i pasqyruar në listë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, ku më pas të pandehurit G.P., dhe S.S., këto dokumente i përdorin në procedurën e prokurimit me, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”. Me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.

Ndërsa,  me 26 qershor të vitit 2020,  në Prizren, saktësisht në Kuvendin Komunal të Prizrenit, i pandehuri B.S., si pronar dhe person përgjegjës i  personit  juridik në kuadër të veprimtarisë së tij afariste, me dashje ndihmon të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronar dhe persona përgjegjës të  personit juridik, që t’i shkelin rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, ashtu që këtij të fundit i lëshon faturën e datës 01.05.2020  me përmbajtje të rreme me qëllim të mashtrimit në procedurë të prokurimit, të cilin dokument më pas të pandehurit e prezantojnë me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë. Me këto veprime i pandehuri B.S., ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

Po ashtu, me datë 1 maj të vitit 2020, në Prishtinë, i pandehurit B.S., si pronar dhe person përgjegjës të  personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tij afariste, me dije përpilon dokument të falsifikuar, me përmbajtje të rreme, kinse ky subjekt ja shet të pandehurit – personit juridik me qëllim për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesional të biznesit, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, e me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021. Me këto veprime, B.S., ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

(Kosova Sot Online )