Kurti e Latifi u bëjnë thirrje qytetarëve që të marrin dozën përforcuese të vaksinës dhe të respektojnë masat Anti-COVID

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 14:48
Kurti e Latifi u bëjnë thirrje qytetarëve që të marrin dozën përforcuese të vaksinës dhe të respektojnë masat Anti-COVID

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, vizituan qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë, prej nga bënë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave Anti-COVID, si armë të vetme kundër virusit Corona.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me këshilltarin e kryeministrit për shëndetësi, Jusuf Ulaj, ata u pritën nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Osman Magjera.

“Pas konfirmimit të pranisë së variantit Omicron në territorin e Kosovës, ditëve të fundit është shënuar rritje e rasteve të reja edhe në vendin tonë, si në gjithë botën. Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë ritheksuan se Qeveria është në krye të detyrës dhe bashkë me autoritetet shëndetësore, është duke monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ata thanë se çdo veprim, e çdo hap që do të ndërmerr Qeveria, do të jetë i bazuar në të dhënat shkencore më të fundit lidhur me variantin Omicron”, thuhet nga MSH.

Sipas kësaj ministrie, në takim u theksua se nuk duhet kurrsesi të çlirohemi.

“Përvoja e vendeve të tjera tregon se rritja e rasteve, si dhe rritja e numrit të pacientëve të shtrirë në spital, mund të jetë e shpejtë dhe e pamëshirshme. Përballë valës së variantit Omicron, u theksuan dy objektiva kryesore: që rritja e rasteve të mos jetë kaq e shpejtë sa që të mbingarkohet sistemi ynë shëndetësor, i cili është ende i brishtë dhe që të parandalojmë, po aq sa kemi mundësi, përhapjen e virusit, si dhe sëmundjen e rëndë dhe humbjen e jetës që mund të shkaktohet prej tij. Suksesi i arritjes së këtyre objektivave varet jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë, u tha në takim”, thuhet tutje nga MSH.

Kryeministri Kurti dhe Ministri Latifi, u bënë thirrje qytetarëve që të marrin edhe dozën përforcuese të vaksinës.

“Së pari, duke u vaksinuar. Vaksinimi është i shpejtë i lehtë dhe falas, dhe nuk ka nevojë për termin. Për qytetarët e pavaksinuar, u bë thirrje për të marrë dy dozat e para pa vonesë. Ndërsa për qytetarët që i kanë marrë dy dozat e para, u bë thirrje që të merret doza përforcuese posa të kalojnë 3 muaj nga marrja e dozës së dytë. Së dyti, u theksua rëndësia e respektimit në përpikëri të masave anti-COVID. U theksua se sa më shumë që të respektohen masat në fuqi, aq më lehtë do ta kalojmë valën e re të infektimeve”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

(Kosova Sot Online)