Departamenti i Shtetit paralajmëron veprime të tjera pas sanksioneve ndaj Dodikut

  • A.P /
  • 05 January 2022 - 17:28
Departamenti i Shtetit paralajmëron veprime të tjera pas sanksioneve ndaj Dodikut

Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar edhe veprime të tjera pas sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë të Bosnjes, ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Milan Tegeltija dhe Përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare, Mirsad Kukiq.

Në komunikatën zyrtare të DASH-it në lidhje me sanksionet thuhet se sanksionet riafirmojnë angazhimin e ShBA-së për sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

“Këto sanksione riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, sundimin e ligjit dhe institucione demokratike, si dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës. Udhëheqës të tjerë dhe subjekte të lidhura me akterë të korruptuar ose destabilizues mund të jenë gjithashtu subjekt i veprimeve të ardhshme nga qeveria e SHBA-së. Ne do të vazhdojmë të përdorim autoritetet e duhura për të promovuar llogaridhënien për aktorët në të gjithë rajonin dhe globalisht”, thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan.

Departamenti amerikan i Thesarit ka zgjeruar sanksionet ndaj Milorad Dodikut për aktivitete korruptive dhe kërcënim të stabilitetit dhe integritetit të Bosnje e Hercegovinës. ShBA-ja s’do të hezitojë që të veprojë ndaj kujtdo që bën përpjekje për të destabilizuar vendin thuhet në komunikatën e lëshuar nga Thesari amerikan.

Nënsekretari amerikan i Thesarit, Brian Nelson, ka deklaruar se Dodik është përpjekur që ta cenojë marrëveshjen e Dejtonit duke kërcënuar stabilitetin e Bosnjes por edhe të rajonit.

“Aktivitetet korruptive të Milorad Dodikut dhe përpjekjet për të prishur Marrëveshjen e Dejtonit i motivuar nga interesi personal, ka kërcënuar stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe tërë rajonit. SHBA-ja nuk do të hezitojë të veprojë kundër atyre që ndjekin korrupsionin, deztabilizimin dhe ndarjen në kurriz të popullit të tyre si dhe ndaj atyre që e mundësojnë dhe lehtësojnë këtë sjellje”, ka thënë Nënsekretari amerikan.

Ky veprim i Thesarit vjen pasi presidenti Joe Biden kishte nënshkruar një Urdhër Ekzekutiv në qershor 2021, ku ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)