Krejt çka dimë për rastin “Brezovica” – nga arrestimi i ish-kreut të Shtërpcës te dyshimet për implikimin e kompanisë ku Veton Surroi është aksionar

  • E.K /
  • 06 January 2022 - 10:13
Krejt çka dimë për rastin “Brezovica” – nga arrestimi i ish-kreut të Shtërpcës te dyshimet për implikimin e kompanisë ku Veton Surroi është aksionar

Një aksion i nisur më 21 dhjetor të vitit të kaluar për ndërtimet në Brezovicë, po vazhdon edhe sot. Operacioni po zhvillohet në tri lokacione të reja. Bastisje ka edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Nga aksioni i sotëm, të arrestuar s’ka ende. Nga arrestimi i ish-kryetarit të Shtërpcës e deri tek dyshimet për implikimin e kompanisë ku Veton Surroi është aksionar,  media ju sjell një përmbledhje të krejt asaj se çka dihet deri tani për rastin “Brezovica”.

Dyshimet për dallavere me ndërtime në Brezovicë kanë bërë që Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Policia e Kosovës të zhvillojë bastisje në tri lokacione të vendit.

Bastisje sot janë duke u kryer edhe në Ministrinë e Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Këtë e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

Jashari ka thënë se aksioni po zhvillohet në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Sipas tij, deri tash s’ka të arrestuar.

“Po, janë duke u kryer bastisje. Aksioni është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Bastisje janë duke u kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është vazhdimësi e aksionit të 21 dhjetorit, pra për ndërtimet në Brezovicë. Deri tash s’ka të arrestuar, meqenëse bastisjet po vazhdojnë ende”, ka thënë Jashari.

Këto bastisje janë vazhdimësi e aksionit të 21 dhjetorit të vitit të kaluar. Në aksionin e asaj dite ishin arrestuar dhjetë zyrtarë të Komunës së Shtërpcës. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliq.

Gjatë këtij aksioni ishin sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera, 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona, aparate për prodhimin e kriptovalutave etj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Vetëm Nikoliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Një prej kompanive që dyshohet se i është lëshuar leja ndërtimore përmes ryshfetit është edhe “Stella Consulting”.

Një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting”, për të cilën Prokuroria pretendon se i ka dhënë ryshfet Bratislav Nikoliqit, në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë, është edhe publicisti kosovar, Veton Surroi.

Sipas dosjes së hetimeve, detajet e së cilës i ka publikuar Kallxo.com, një pjesë të madhe të ryshfetit që dyshohet se e ka marrë ish-kryetari i Shtërpcës, dyshohet se vjen prej një kompanie, ku aksionar është Veton Surroi.

Emri tij është përmendur disa herë për ndërtime në Brezovicë, por ai ka thënë se lejet i ka marrë ligjshëm. Prokuroria pretendon diçka krejt tjetër.

Dyshimet e Prokurorisë janë këto: Nikoliq ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve emri i Surroit figuron në listën e aksionarëve me 30%, derisa aksionari tjetër është Gentjan Sula me 70% të aksioneve.

Në media edhe vite më herët ishte raportuar për dyshime të dallavereve me lejet ndërtimore në Brezovicë ku dyshohej se ishte përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”

Në vitin 2020, lidhur me raportimet e asaj kohe, Surroi në një përgjigje për Gazetën Insajderi, kishte mohuar se është bërë ndonjë shkelje, derisa për vete kishte thënë se është vetëm një aksionar i vogël.

 “Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, ka thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin në vitin 2020.

Ndryshe, Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media kishte thënë se Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.

“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, kishte thënë Maloku.

Sipas Malokut, shumica e ndërtesave janë ndërtuar kundërligjshëm.

Ndërkaq, Agron Haziri, shef i krimeve të rënda, kishte thënë se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh si dhe monedha të ndryshme, përfshirë dollarë, denarë maqedonas, dinarë serbë dhe valuta të tjera. Po ashtu të dyshuarve u ishin gjetur edhe pistoleta e pushkë ajrore, si dhe aparate për prodhimin e kriptovalutave.

(Kosova Sot Online)