Vdekja e shqiptarit në burg, familjarët: Kërkojmë drejtësi

  • A.P /
  • 14 January 2022 - 16:38
Vdekja e shqiptarit në burg, familjarët: Kërkojmë drejtësi

Vdekja e Refik Matës në një burg në Francë, vijon të jetë mister për familjarët, të cilët kërkojnë drejtësi. 29-vjeçari shqiptar u nda nga jeta më 17 Dhjetorin të vitit të kaluar në qelinë e tij në Tarascon në Francë, ndërsa autoritetet paraprakisht thanë se bëhet fjalë për një vetëvrasje megjithëse shkaku i vërtet i vdekjes nuk dihet nga familjarët.  Refik Mata u akuzua për vjedhje nga shteti francez, ndërsa ishte dënuar deri në vitin në Shkurt të vitit 2024.

Familjarët e të ndjerit jetojnë në Ipmeria të Italisë, ndërsa e hedhin poshtë versionin se, Refiku mund të jetë vetëvrarë, ndërsa kërkojnë të hidhet dritë mbi fatin e 29-vjeçarit.

Së fundmi vëllai i viktimës Bekim Mata, i cili vijon të kërkojë drejtësi për të vëllanë ka kontaktuar redaksinë e Abcnews.al, për të denoncuar faktin se autoritet e burgut në Francë nuk i kanë dhënë asnjë dokument me shkrim lidhur me vdekjen e 29-vjeçari, brenda qelisë së tij.

Në një intervistë me gazetarin e Abcnews.al, Ervin Leka, vëllai i viktimës tregon momentet e fundit dhe bisedat me Refikun, në dhjetor të vitit të kaluar. Bekimi shprehet se vëllai i tij kishte një telefon në qeli dhe komunikonte thuajse çdo natë me të dhe me familjen.

Sipas Bekimit, vëllai i tij nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim si dhe nuk kishte asnjë arsye për tu vetëvrarë. Mes të tjerash Bekimi tregon se natën që ndodhi ngjarja ka folur me Refikun deri në mesnatë dhe ai ishte krejtësisht i qetë. Më pas Refiku kishte komunikuar me një mik të tij deri në orët e para të mëngjesit të 17 dhjetorit. Edhe mikut, Refiku nuk i kishte thënë asgjë shqetësuese.

Ndërkohë në një foto të dërguar për Abcnews.al, vëllai i viktimës, pretendon se brenda qelisë, zilja e emergjencës ishte jashtë funksionit.

Sikur të mos mjaftonte, mungesa e dhënies së informacionit nga ana e autoriteteve të burgut në Tarascon në Francë, ata nuk kanë pranuar edhe tërheqjen e trupit të viktimës. Bekimi shprehet për Abcnews.al, se trupin e ka marrë 12 ditë pasi vëllai i tij kishte ndërruar jetë.

Me rastin në fjalë është marrë avokatja Julie Boano, e cila disa ditë pas ngjarjes së rëndë shkoi në qelinë e burgut së bashku me familjarët e viktimës për të marrë sendet e tij personale. Familja e të ndjerit përmend një rast në 7 Tetor kur Refiku është shfaqur i dhunuar në një seancë ku do të flitej për përjashtimin e tij drejt Shqipërisë dhe të mos kthehej më në Francë. Sipas familjarëve, ai ka pasur shenja të dukshme të dhunës në fytyrë dhe në pjesët e tjera të trupit.

Mata do të lirohej në Shkurt të vitit 2024. Sipas avokates, ai nuk kishte asnjë arsye që t’i merrte jetën vetes. “Tani çdo gjë është në duart e hetuesve dhe po presim që të merret një vendim, ose të caktohet si vetëvrasje ose në të kundërtën të hapet një hetim”, tha avokatja, cituar nga mediat italiane.

Ndërkohë vëllai i viktimës nëpërmjet Abcnews.al, ka një apel të fortë për shtetin shqiptar dhe autoritete përkatës. Ai kërkon të paktën një shpjegim zyrtarë nga autoritet franceze për të mësuar shkaqet e vërteta të vdekjes së 29-vjeçarit.

Pjesë nga intervista:

Gazetari: Pse dyshoni se vëllai juaj nuk ka kryer vetëvrasje?

Bekim Mata: Dyshoj sepse nuk kam akoma, asnjë dokument me shkrim lidhur me vdekjen e tij. Nuk kam asnjë dokument nga autoritet franceze, se si ka ndodhur ngjarja.

Gazetari: Pra ju thoni se diçka tjetër ka ndodhur me vëllanë tuaj?

Bekim Mata: Jo, vëllai im nuk ka kryere vetë vrasje, kurrë. Sepse unë 2 ditë para ngjarjes, kam pasur takim me të.

Gazetari:  Nga kontaktet e fundit që kishit me vëllanë tuaj, a të ka lënë dyshime, për diçka që mund ta shqetësonte?

Bekim Mata: Vëllai im ka pasur telefon në dhomë. Unë kam biseduar me të deri në 00:00, me tim vëlla. Pastaj ai ka biseduar me një shok të tij, deri në orën 03:30 të mëngjesit.

Gazetari: Po nga ana shëndetësore kishte ndonjë shqetësim?

Bekim Mata: Jo, ai ishte shumë mirë nga shëndeti.

Gazetari: Si sillej vëllai, pasi nisi dënimin? A ndryshoi sjellja e tij ?

Bekim Mata: Jo, ishte shumë i qetë. Kishte 3 muaj që kishte filluar punë, në burg. Edhe unë nga jashtë i mundësoja të gjitha kushtet që i nevojiteshin brenda. Ishte vetëm pak i mërizut se më datë 8 tetor kishte një gjyq të “expulse” dhe nuk ja pranuan. Po unë me avokaten ja patëm apeluar, dhe në shkurt do të dilte në gjyq të apelit. Me anë të celularit, sa herë që mërzitej flisnim me të. Bisedonte me familjen për dite dhe pse ishte brenda. Atë natë bisedoi edhe me djalin tim të vogël.

Image

Gazetari: Kur keni arritur ta merrni trupin e vëllait, pasi thatë se në fillim nuk jeni lejuar për ta tërhequr?

Bekim Mata: Trupin e vëllai e kam marrë, mbas 12 ditësh, nga dita e vdekjes. E kam marrë nga Franca  për në Zvicër dhe me avion më pas në Prishtinë.

Gazetari: Çfarë kërkon nga autoritet shqiptare?

Bekim Mata: Kam bërë denoncim në autoritet shqiptare dhe nuk kam asnjë përgjigje deri më tani. Si nga avokati i popullit, si nga ministria e jashtme dhe si nga Prokuroria e Përgjithshme. I bëj apel shtetit shqiptar nga ana juridike të ndërhyjë për të marrë vesh të paktën si ndodhi.  E di që vëllanë tim nuk ma ngjallin dot, po të paktën një letër me shkrim, si, tek, qysh, si ndodhi.  Këtë kërkoj nga autoritet shqiptare dhe franceze.

(Kosova Sot Online)