Opozita mbledh 40 nënshkrime, pritet seancë e jashtëzakonshme të hënën e javës tjetër

  • A.P /
  • 21 January 2022 - 17:52
Opozita mbledh 40 nënshkrime, pritet seancë e jashtëzakonshme të hënën e javës tjetër

Partitë opozitare pritet që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të hënën e javës që po vjen, ku pritet të kundërshtojnë ndryshimin e tarifave dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas burimeve shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka arritur që të grumbullojë 40 nënshkrime për thirrjen e kësaj seance e cila pritet që të thirret për të hënën në orën 12:00.

Mbajtja e kësaj seance vjen si një përpjekje tjetër e opozitës për të kundërshtuar ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit të rrymës.

Partitë opozitare në vazhdimësi kanë kundërshtuar ndryshimin e tarifave të energjisë dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike. Janë paralajmëruar edhe protesta, derisa një e tillë pritet të mbahet nesër nga PSD-ja.

Protesta ka paralajmëruar edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, megjithatë ende s’ka ndonjë njoftim konkret lidhur me këtë paralajmërim.

Edhe në debatin e djeshëm në Kuvendin e Kosovës ka pasur një debat plotë përplasje, me opozitën që kundërshton rritjen e çminit të rrymës dhe me Qeverinë që arsyeton veprime dhe vendimet lidhur me krizën energjetike ku gjendet vendi.

(Kosova Sot Online)