Joschka Fischer ftohet për vizitë, i dhurohet portreti nga fjalimi i tij për Kosovën në vitin 1999

  • A.P /
  • 25 January 2022 - 17:06
Joschka Fischer ftohet për vizitë, i dhurohet portreti nga fjalimi i tij për Kosovën në vitin 1999

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, sot i ka dërguar ftesën e presidentes Vjosa Osmani, për ta vizituar vendin, ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joschka Fischer.

Fischer ishte ministër në vitin 1999 kur u zhvillua lufta e fundit, ai pati një ndikim të madh që kosovarët të fitojnë lirinë, në atë kohë.

Ajeti, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Fischer nuk e fsheh gëzimin e tij për sukseset e Kosovës.

Sipas tij, ish-ministri është i lumtur “për orientimin e qartë euro-atlantik të shtetit kosovar dhe të kursit perëndimor të shoqërisë dhe elitës kosovare”.

“Një obligim jo vetëm institucional dhe kombëtar, por edhe moral, që traseja e aktivitetit tonë diplomatik në Berlin, të kalojë domosdoshmërisht nëpër zyrat e atyre që ishin pranë nesh në kohët më të vështira të ekzistencës tonë”,ka potencuar Ajeti.

“Nga takimet e tij me presidentin Rugova e deri tek temat aktuale mbi marrëdhëniet tradicionale, historike dhe të pazëvendësueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Gjermanisë, biseda me të mbetet një tour d’horizon unik për politikën e jashtme gjermane dhe atë botërore”.

Tutje, ambasadori ka thënë se mikut të veçantë të vendit i ka dorëzuar po ashtu një portret të veçantë të punuar nga artisti kosovar në Berlin, Berat Hasani.

Figura në portretin e Fischer është vizatuar derisa ai mbante fjalimin historik gjatë luftës së Kosovës, i mbajtur në maj të vitit 1999 në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë së Gjelbër në Bielefeld.

Ai e kishte quajtur këtë fjalim si më të mirin në karrierën e tij politike.

(Kosova Sot Online)