Spitali i Ferizajt i ofron shërbim një të moshuare pas denoncimit të familjarëve dhe interesimit të Prokurorisë

  • G.G /
  • 27 January 2022 - 16:05
Spitali i Ferizajt i ofron shërbim një të moshuare pas denoncimit të familjarëve dhe interesimit të Prokurorisë

Është dashur një denoncim publik i familjarëve në rrjetin social “Facebook” dhe interesimi i Prokurorisë Themelore të Ferizajt që Spitali Rajonal atje të vihet në lëvizje për t’i siguruar dhe ofruar shërbim spitalor një gruaje të moshuar me gjendje të rënduar shëndetësore.

Taulant Hajrullahu nga Ferizaji të mërkurën rreth orës shtatë pasdite përmes një reagimi publik i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore që të hap rast për Spitalin Rajonal të Ferizajt, pasi sipas Taulantit, këta të fundit nuk i kishin ofruar gjyshes së tij shërbim spitalor.

Media mbrëmë ka kontaktuar me Taulantin pas denoncimit të tij publik dhe ka mësuar se familja Harjullahu ishin kontaktuar qysh mbrëmë nga Spitali i Ferizajt për ta dërguar familjaren e tyre për trajtim.

Derisa sot, Taulanti ka treguar se gjyshja e tij është shtrirë në Spital.

“Po sot është shtrirë në spital”, ka konfirmuar Taluant Hajrullahu për Express.

Lidhur me rastin, Gazeta Express, ka kontaktuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka treguar se dje kanë komunikuar me Spitalin, dhe të njëjtit kishte mbetur që të bisedonin me familjen.

Jashari i ka thënë Expressit se beson që çështja është rregulluar.

“Po kam thirrë në spital, edhe me marrë informacione se çka është problemi, po besoj që është rregullu kjo çështje. Dje i kam thirrë, ata kanë mbet me bisedu në mengjes me këta (familjen). Po ashtu kam bisedu edhe me policinë. Rasti për momentin ende nuk është hap rasti”

Kryeprokurori Shukri Jashari

Gazeta Express ka tentuar mbrëmë dhe sot të flasë me zëdhënësin e Spitalit të Ferizajt, Skender Biba, por nuk ka qenë i qasshëm.

Taulant Hajrullahu mbrëmë ka reaguar publikisht në “facebook” duke i bërë thirrje hetuesisë që të nis rast për Spitalin e Ferizajt pasi këta të fundit, sipas Taulantit nuk i kishin ofruar shërbim gjyshes së tij me gjendje të rënduar shëndetësore.

“Thirrje pubilke për Prokurorinë Themelore të Ferizajt! Sot është dita gjashtë që gjyshja ime në mungesë të trajtimit spitalor po lufton në mes të jetës dhe vdekjes. Familja ime ka bere përpjekje maksimale dhe nuk po mundet të sigurojnë shërbim spitalor.

Kërkoj nga Prokuroria që të hap hetimet për udhëheqësin e Spitalit Regjional të Ferizajt për mosmundësim të shërimit. Sipas mjekëve kompetent, gjyshja ime më së largu edhe pesë ditë duhet të hyjë ne dializë për shkak të pamundësisë për shtrirje hospilatore. Reagimi është jo vetëm për gjyshen time të palëvizshme por edhe për shumë qytetare të tjerë të cilët nuk gëzojnë të drejtën e duhur të shërbimit spitalor!

Nëse Prokuroria nuk reagon, çka do qe ndodhe me fatin e gjyshes sime, do te paditen autoritetet kompetente me rend”, kishte shkruar Taulant Hajrullahu.

(Kosova Sot Online)