Escobar dhe Lajçak në konferencë me Kurtin: Vazhdojnë diskutimet për planet e javëve të ardhshme

  • A.P /
  • 31 January 2022 - 18:32
Escobar dhe Lajçak në konferencë me Kurtin: Vazhdojnë diskutimet për planet e javëve të ardhshme

Kryeministri Albin Kurti është shfaqur në një konferencë për media së bashku me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Fillimisht, Lajçak paralajmëroi se do t’i vazhdojnë diskutimet me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Lajçak.

Emisari evropian tha se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën. Deri atëherë tha se shpreson “ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”

Ndërsa Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë si SHBA-ja. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek rrugën e saj euroatlantike.

“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, tha fillimisht ai.

“Ju jeni evropianë, ju jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë”, tha ndër tjerash diplomati amerikan, teksa foli edhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit.

Para tyre, kryeministri Kurti foli për prioritetet dhe punët e Qeverisë, me theks në luftimin e krimit dhe korrupsionit.


(Kosova Sot Online)