Çfarë i tha Lajçakut OSBE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të prillit në Kosovë?

  • A.P /
  • 01 February 2022 - 11:57
Çfarë i tha Lajçakut OSBE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të prillit në Kosovë?

Misioni i OSBE-së, edhe për zgjedhjet e prillit që do të mbahen në Serbi, thonë se janë të gatshëm të bëjnë grumbullimin e votave edhe në Kosovë, si në të kaluarën, megjithatë sqarojnë se për të ndodhur një gjë e tillë duhet të ketë një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe akterëve të tjerë relevantë. Për këtë thonë se e kanë njoftuar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it në një letër të përbashkët, kishin kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që të lejonin organizimin e procesit të votimit për referendumin e fundit të mbajtur në Serbi. Sipas ndërkombëtarëve, një proces i tillë do të realizohej në praktikën e instaluar në të kaluarën ku misioni i OSBE-së merrej më grumbullimin e votave.

Megjithatë referendumi nuk është lejuar nga qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, derisa OSBE-ja përmes një komunikate e kishte bërë të qartë gatishmërinë për grumbullimin e votave, por kishin sqaruar se pa pasur një dakordim të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

Qëndrim të njëjtë mban OSBE-ja edhe sa i përket zgjedhjeve presidenciale të muajit prill të cilat do të mbahen në Serbi, e të cilat Beogradi kërkon që të organizohen edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu i ka thënë Gazetës Express një zëdhënës i këtij misioni përmes një përgjigje me shkrim. Për gatishmërinë e tyre për të mbledhur votat thonë se i kanë njoftuar edhe të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe gjithashtu edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Miroslav Lajcak, megjithatë thonë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur të jenë plotësuar kushtet, pra kur të ketë një dakordim Kosovë-Serbi dhe të institucioneve të tjera relevante.

“OSBE-ja, përmes misionit të saj, ka kryer mbledhjen e votave të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë që nga viti 2012, mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo është bërë, gjithmonë bazuar në një marrëveshje reciproke në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe me pajtimin e të gjitha institucioneve relevante për një aktivitet të tillë.Siç e ka bërë të qartë misioni i OSBE-së në Kosovë, ai vazhdon të jetë i gatshëm për të bërë grumbullimin e votave kur një kusht i tillë të përmbushet. Kjo i është komunikuar të gjitha shteteve pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerëve, përfshirë edhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Lajçak”, ka thënë ky zëdhënës i OSBE-së

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, më 25 janar në Vjenë të Austrisë, kishte takuar Sekretaren Gjenerale të misionit të OSBE-së, Hekga Schmid, me të cilën ka biseduar për aktiveitet e misionit në Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)