
Pronari i kompanisë është në burg, Komuna e Gjilanit lidh kontratë me të

Zyra e prokurimit të Komunës së Gjilanit ka lidhur një kontratë gjatë ditës së djeshme me kompaninë “Globi – M.I” Sh.P.K, pronari i të cilës, Ismet Haziri ndodhet në paraburgim.Policia kishte arrestuar Hazirin
Në dhjetor të vitit të kaluar Ismet Haziri, pronari i firmës ndërtimore “Globi – M.I” Sh.P.K, është ndaluar nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve në tre tenderë të vlefshëm rreth dy milionë euro.
“Ndërtimi i tri urave Demiraj, Gumnishtë, Kacabash”. Kështu quhet kontrata në vlerë prej 87 250,00 eurove që u është dhënë grupit të kompanive “Globi – M.I” SH.P.K.& “Dashnim Jashari B.I”.
Liridona Xheladini, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për lajmi.net se Haziri ende ndodhet nën ndalesën e Prokurorisë, por që i njëjti aktualisht ndodhet për një tretman mjekësor jashtë Kosovës.
“Sipas kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, më 08 Dhjetor 2021, ka ndaluar të pandehurin I.H., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili sipas kërkesës së prokurorisë, ka qenë nën masën e paraburgimit deri më 28 Janar 2022. Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore, intervistimit të të pandehurit dhe dëshmitarëve, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, që të njëjtit t’i ndërprehet masa e paraburgimit për shkak të një intervenimi mjekësor jashtë vendit. (Termin i caktuar më herët)”, ka thënë për lajmi.net, Liridona Xheladini.
Policia kishte arrestuar Hazirin, pasi që i njëjti dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara në mënyrë që të fitojë tender në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë. Si prova materiale në këtë rast janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon.
“Pas një pune hetimore, me datë 08.12.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti duke përdorur dokumente të falsifikuara ka arritur që të fitoj disa tender në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë. Si prova materiale janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon. Vlera totale e tenderëve të fituar me dokumente të falsifikuara arrin shumën rreth 1.900.000,00 Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, kishte njoftuar policia.

“Globi – M.I.” Sh.P.K., është një kompani private e cila operon në fushën e ndërtimtarisë. Në bazë të të dhënave publike, firma është në pronësi të plotë të Ismet Hazirit.
Kontrata që është nënshkruar dje me zyrën e prokurimit të Gjilanit, nga ana e kompanisë “Globi – M.I” SH.P.K, firmën e ka hedhur drejtori i saj, Imset Haziri. Ndërkohë në konzercium më këtë kompani ka qenë edhe kompania N.T.P ,Ardhmëria” më pronar, Dashnim Jashari.
Dashnim Jashari është djali i vëllait të Ruzhdi Jasharit, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe i cili ka qenë kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës në vitin 2017.
Ismet Haziri, është ish-kryetar i Klubit të Boksit “Drita”. Në vitin 2017, Haziri ishte nderuar me çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit” nga Komuna e Gjilanit për mbështetjen që i ka dhënë sportit në qytet. Ai ka qenë në afërt me LDK-së, dhe ka përfituar disa kontrata në këtë komunë. Madje, Imran Haziri është asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë njëkohësisht më i votuari në Gjilan në zgjedhjet e fundit. Ai është i djali i vëllait të biznesmenit Ismet Haziri.
Derisa, Haziri ishte arrestuar më 8 dhjetor për dyshime të falsifikimit të dokumenteve në tre tenderë, prokurimi i Gjilanit e kishte shpallur fitues më 10. 11. 2021. Pra, prokurimi komunal ka hezituar rreth tre muaj që të nënshkruajë këtë kontratë, ani pse nuk ka pasur asnjë ankesë. Në garë për këtë tender ka qenë edhe një kompani me ofertë prej rreth 900 euro më të shtrenjtë.
(Kosova Sot Online)