
Bislimi thotë se ka marrë përgjigje nga dy kongresmenë amerikan për letrën e dërguar

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtari i ligës qytetare shqiptaro-amerikane, Faton Bislimi, u ka dërguar një letër kongresistëve amerikanë që i kanë shkruar presidentit Joe Biden për Serbinë.
Ai ka shkruar në Facebook se kongresistëve ua ka bërë me dije se letra që i është dërguar Presidentit Biden është e mbushur me të pavërteta.
Bislimi ka thënë se sot i ka marrë dy konfirmime nga dy kongresmenë të rëndësishëm, të cilët sipas tij janë falënderuar për faktet që i ka hedhur në pahë, e që siç thotë ai, për të cilat nuk kanë qenë të informuar.
Tutje ai ka deklaruar se serbët e kanë kuptuar se beteja me Kosovës fitohet ose humbet në SHBA.
“Me kënaqësinë më të madhe mund të them se para se të kyçesha live në intervistën tuaj kam marrë dy konfirmime nga dy prej kongresmenëve të rëndësishëm të cilët e kanë lëshuar atë letër, të cilët janë falënderuar jashtëzakonisht shumë për faktet e reja që i kam hedhur në pahë, për të cilat ata s’kanë qenë të konfirmuar. Unë besoj që do të ketë përgjigje edhe të tjera”, ka deklaruar ai.
Bislimi ka deklaruar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA’të janë jetike për vendin.
“Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë jetike për Republikën e Kosovës. Në këtë kuadër unë mendoj se ne kemi qenë gjithmonë fitues në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duhet të jemi përherë mirënjohës angazhimit të tyre karshi kauzës sonë kombëtare në përgjithësi dhe çështjes së Kosovës në veçanti”, ka shtuar ai.
Ndërsa, ai ka folur edhe për mungesën e njohjeve të reja të vendit.
Bislimi ka thënë se Serbia, Rusia dhe Kina kanë ndikuar në ngecjet rreth njohjeve të reja.
“Sa i përket njohjeve, ju e dini që kemi pasur ngecje dhe normalisht ne jemi në një numër të njohjeve që e ka kaluar numrin 110 dhe kanë mbet edhe një pjesë e vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ku ndikimi i Serbisë normalisht është shumë më i madh sesa ndikimi ynë, por përtej Serbisë është edhe ndikimi i Rusisë, ndikimi i Kinës, të cilat janë aleat historikë të Serbisë”, ka shtuar ai.
(Kosova Sot Online)