Gjykata i liron nga akuza dy vëllezërit nga Gjakova për uzurpimin e një lokali

  • E.K /
  • 08 February 2022 - 12:21
Gjykata i liron nga akuza dy vëllezërit nga Gjakova për uzurpimin e një lokali

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka liruar nga akuza për uzurpimin e një lokali në Gjakovë vëllezërit S. dhe Xh.B.

Në arsyetimin e aktgjykimit që është përpiluar më 1 shkurt të këtij viti nga gjykatësja Ilirjana Hoti, thuhet se gjykata ka ardhur në përfundim se të akuzuarit nuk kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

“Gjykata pas administrimit të provave materiale dhe personale, analizimit të tyre me shumë kujdes gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka ardhur në përfundim se me asnjë provë nuk është provuar se të akuzuarit të kenë uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit P.P”, thuhet në aktgjykim.

Tutje sipas gjykatës, në këtë rast mungon qëllimi i uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

“Të akuzuarit nuk janë futur me qëllim të pushtimit të saj por në atë kohë të akuzuarit janë futur në posedim dhe shfrytëzim të asaj paluajtshmërie në bazë të një kontrate mbi dhënien e lokalit në shfrytëzim, e përpiluar në mes të dhënësit të lokalit I.B, dhe marrësit të saj në shfrytëzim S.B.”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të aktgjykimit.

I dëmtuari është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 21 korrik 2017, Xh. dhe S.B akuzoheshin se nga viti 1999, në Gjakovë, pa ndërprerë e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme, e pa ndonjë bazë juridike, uzurpojnë pronën në sipërfaqe prej 38.60 m2, zona kadastrale Gjakovë-qytet, pronë e të dëmtuarit L.N. Prona në fjalë thuhet se në shërbimin kadastral është bartur me kontratë të legalizuar në Gjykatë, në emër të të dëmtuarit P.P.

Sipërfaqja e lokalit që pretendohet se është uzurpuar gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte precizuar nga prokuroria në 25 metra katrorë.

Për këtë, ata akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës” në bashkëkryerje e në vazhdimësi, nga neni 332, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)