Bajrami kërkon dorëheqjen e bordit të ZRRE-së: 20% e qytetarëve do t’ua paguajnë rrymën bizneseve

  • E.K /
  • 09 February 2022 - 12:07
Bajrami kërkon dorëheqjen e bordit të ZRRE-së: 20% e qytetarëve do t’ua paguajnë rrymën bizneseve

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar të pasurit dhe bizneset me subvencionimin e energjisë elektrike. Ajo tha se barrën e shtrenjtimit të rrymës e bartin 20% të qytetarëve, të cilët sipas saj, do ta paguajnë energjinë elektrike “për komplet sektorin e biznesit dhe 80% të amvisërive.

Bajrami tha se ky vendim është jashtëzakonshisht diskriminues.

“Qeveria ka vendosur që t’i rris subvencionet në 90 milionë euro të hyra dhe pjesën tjetër kush do e bartë? Do e bartin sipas ZRRE-së 20% të qytetarëve të Kosovës të cilët shpenzojnë energji elektrike më shumë se 800 kWh në muaj. Do të thotë Qeveria me 90 milionë vendos me e subvencionu energjinë elektrike për krejt sektorin privat, për 80% të ekonomive familjare, dhe barrën prej 160 milionë eurove e lë te 20% e qytetarëve, ose 125 mijë familje”, tha ajo.

Bajrami e pyeti Qeverinë se kush janë top-përfituesit e 90 milionë eurove që u ndanë për subvencionimin e energjisë elektrike.

Ajo tha se bordi i ZRRE-së duhet të japë dorëheqje pasi ka bërë shkelje të mëdha.

“Është vendimi më diskriminues që ka ndodh ndonjëherë prej institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Bajrami, duke paralajmëruar se do t’i ndjekin mekanizmat ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendim.

(Kosova Sot Online)