Çfarë po ndodh me gruan e zhdukur nga Mazgiti i Obiliqit? Vjen një përgjigje nga prokuroria

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 15:39
Çfarë po ndodh me gruan e zhdukur nga Mazgiti i Obiliqit? Vjen një përgjigje nga prokuroria

Zarife Igrishta nga fshati Mazgit i Obiliqit vazhdon te jetë e zhdukur që nga muaji maj i vitit të kaluar. As publikimi i fotografisë së saj me të dhënat personale nga Policia e Kosovës nuk ka rezultuar me gjetjen e saj. Prokuroria Themelore e Prishtinës përmes një përgjigje me shkrim ka thënëse veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar.

Për fatin e 40-vjeçares nuk ka njohuri as bashkëshorti i saj, ai ka deklaruar se ditën e fundit kur e ka parë bashkëshorten është data 5 maj 2021.

Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, thotë se prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të kësaj çështje.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori i çështjes ka ndërmarrë veprime hetimore dhe po vazhdon ndërmarrjen e tyre me qëllim të sqarimit në tërësi të kësaj çështje penale”, tha Ulaj.

Sipas bashkëshortit të 40-vjeçares, çifti mes vete nuk kanë pasur probleme, madje thotë se në ditën kur ajo ka dalë nga shtëpia e ka përshëndetur atë bashkë me vajzën e tyre 11-vjeç që është nisur për në shkollë, por kur është kthyer në shtëpi ai thotë se nuk e ka gjetur gruan.

Në një rrëfim për Express, ai ka deklaruar se nuk i ka bë asgjë keq gruas së tij, teksa kërkon nga të gjithë ata që kanë informacione për vendodhjen e gruas së tij t’i ndajnë me të këto informacione.

“Unë keq si kam bë, nëse policia dhe gjykata gjejnë fakte që i kam bë keq unë jam i gatshëm me u përgjigj. Kurrë hala nuk kem lajmërim nga ajo, por kushdo që din kemi qejf me na tregu se ku ndodhet. Me pyet se pse ka dalë për çfarë arsye. Me tregu rastin deri sot ku u gjind duke jetu, nëse gjendet e gjallë. Nuk e besoj më se do të jetoj me të. Ma ka lënë fëmijën 11 vjet”, tha më tej burri i 40-vjeçares së zhdukur.

Policia e Kosocvës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Zarife Igrishtës.

“Inkurajojmë të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’ia kalojnë ato policisë përmes numrave :192 apo 045192092”, thuhet në apelin e policisë. 

(Kosova Sot Online)