Publikimi i draftit të Ligjit për Pagat, mblidhen sindikatat

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 13:43
Publikimi i draftit të Ligjit për Pagat, mblidhen sindikatat

SBAShK-u, Sindikata e Administratës Publike dhe Sindikata e Policisë janë takuar sot për t’u dakorduar për veprimet që do të ndërmarrin pas publikimit të një versioni të Draft Ligjit për Pagat.

Në njoftimin për media nga SBAShK thuhet se ata janë të pakënaqur me versionin e Projektligjit që ka qarkulluar dje.

“Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar dhe janë pajtuar që në fillim të javës së ardhme BSPK-ja të organizojë tryezë tematike me pjesëmarrjen e të gjitha Sindikatave për të debatuar për situatën aktuale në të gjithë sektorët dhe për të koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Informatë për mediet e shkruara e elektronike

Sindikatat takohen për konsultime dhe koordinim të aktivitetit dhe veprimeve

Janë takuar sot përfaqësuesit e SBASHK-ut, të Sindikatës së Administratës Publike dhe ata të Sindikatës së Policisë për të bashkëbiseduar për situatën e krijuar pas qarkullimit të një versioni të Projektligjit të pagave. Ata kanë treguar për shqetësimet e anëtarësisë që përfaqësojnë duke përsëritur qëndrimet dhe vërejtjet lidhur me Projektligjin për paga. Përfaqësuesit e të tri këtyre Sindikatave janë shprehur se në pritje të takimeve me Ministritë gjegjëse kanë ngritur grupe punuese duke përgatitur propozime konkrete e të argumentuara , të cilat do t’i prezantojnë.

Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar dhe janë pajtuar që në fillim të javës së ardhme BSPK-ja të organizojë tryezë tematike me pjesëmarrjen e të gjitha Sindikatave për të debatuar për situatën aktuale në të gjithë sektorët dhe për të koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale.

(Kosova Sot Online)