“Thumbi” i Rohde: Për moszbatimin e Asociacionit përmendet Kushtetuesja, për Manastirin akuzohet e njejta Gjykatë

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 14:32
“Thumbi” i Rohde: Për moszbatimin e Asociacionit përmendet Kushtetuesja, për Manastirin akuzohet e njejta Gjykatë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë ka folur për çështjen e Asociacionit dhe mos implementimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Manastirit të Deçanit.

Rohde ka thënë se kur bëhet fjalë për të arsyetuar çështjen e moszbatimit të Asociacionit të Komunave, qeveritarët kanë përmendur dhe përmendin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa thotë se për vendimin e kontestit për Manastirin e Deçanit, e akuzojnë të njejtën Gjykatë.

Diplomati gjerman ka thënë se vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet pasi që bëhet fjalë për besueshmërinë e Kosovës si shtet.

Pjesë nga intervista:

Gazeta Express: Ndërkohë, nuk është vetëm Asociacioni. Kemi edhe Manastirin e Deçanit. Ju si QUINT keni nxjerrë tre komunikata të përbashkëta brenda vitit 2021 duke kërkuar zbatimin e vendimit. Z. Kurti nuk ka treguar shenja se do të ecë përpara. Ai tha se duhet të shqyrtohen të gjitha kontestet historike dhe politike lidhur me Manastirin, ndërsa për vendimin e ka fajësuar Gjykatën Kushtetuese. Çfarë na thotë kjo për Kosovën si shtet?

Amb. Jorn Rohde: Gjithçka është thënë në deklaratat nga QUINT-it. Ju i përmendët disa dhe e fundit më duket se është lëshuar pasi Gjykata Kushtetuese e publikoi një vendim lidhur me moszbatimin e vendimeve të saj, duke thënë se vendimet nuk janë zbatuar që prej marrjes së tyre, para rreth pesë viteve. Pra deklaratat tona janë reagime ndaj moszbatimit nga ana e disa qeverive të një vendimi kushtetues. E njejta Gjykatë Kushtetuese është përmendur nga disa qeveri, kur bëhet fjalë për të arsyetuar moszbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mandej, kur nuk pëlqehet një vendim, akuzohet gjykata. Nëse i hidhni një shikim deklaratës së fundit të QUINT-it, ne kemi theksuar se kjo e minon besueshmërinë e qeverisë, e secilit pretendim të qeverive për të zbatuar sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit duhet të implementohet, pavarësisht, nëse ju pëlqejnë vendimet e gjykatës, apo jo. Elementi tjetër këtu: zbatimi i një vendimi të gjykatës, i cili i prek marrëdhëniet me pakicat do të ishte gjithashtu një hap i madh drejt pajtimit me pakicat. Sepse kur e zbaton një vendim të tillë, kjo gjithashtu tregon respektin për sundimin e ligjit, pavarësisht, nëse bëhet fjalë për shumicën, apo pakicën. Prandaj QUINT-i e kërkon implementimin, sepse bëhet fjalë për besueshmërinë e shtetit.

(Kosova Sot Online)