Janjic: Kosova formalisht ka vendosur sovranitetin në gjithë territorin, por aty janë strukturat paralele

  • E.K /
  • 17 February 2022 - 12:03
Janjic: Kosova formalisht ka vendosur sovranitetin në gjithë territorin, por aty janë strukturat paralele

Statusi i Kosovës si shtet në të drejtën publike ndërkombëtare është ende i hapur, i pazgjidhur, ka  thënë Dushan Janjic nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai  është shprehur se në kuptimin e kontrollit të territorit Kosova ka vendosur sovranitetin e plotë por që s’është i legalizuar ndërkombëtarisht. Duke folur në një intervistë për Kossev në 14 vjetorin e pavarësisë, Janjic thotë se me marrëveshjen e Brukselit, Kosova e ka vendosur formalisht sovranitetin në tërë territorin por ka përmendur ekzistencën e strukturave paralele.

Ku është Kosova tani? Çfarë ka ndryshuar në krahasim me vitin 2008?

Janjic: Ashtu sikur akti i shpalljes së pavarësisë u përcaktua qartë ndërkombëtarisht 14 vjet më parë, si një pavarësi e shpallur në mënyrë të njëanshme, ai status ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Prandaj, Kosova nuk ka kapacitet të plotë publik ndërkombëtar si një shtet i vetëm me të gjitha funksionet. Rreth 100 vende e kanë njohur Kosovën, ndërsa vendet e tjera jo. Prandaj, problemi i statusit të Kosovës si njësi e pavarur e së drejtës publike ndërkombëtare është ende i hapur, i pazgjidhur.

Sa është sot Kosova de facto e “pavarur”?

Janjic: Nëse merret parasysh ana tjetër e shtetësisë, e cila quhet sovranitet, gjegjësisht kontrolli i territorit përmes funksioneve shtetërore, mund të themi se Kosova ka përparuar dhe ajo, sidomos që nga Marrëveshja e Brukselit, ka vendosur formalisht sovranitetin e plotë në të gjithë territorin, por natyrisht, de facto me përjashtim që nuk është legalizuar ligjërisht, e kjo është ekzistenca e institucioneve ‘paralele’ në sistemin e qeverisjes serbe (komunat, kryetarët e tyre dhe disa institucione jashtë Kosovës që merren me sigurinë).

Serbët në Kosovë nuk e besojnë dhe nuk e përkrahin pavarësinë, pra cili është mesazhi juaj?

Janjic: Është e logjikshme që nuk besojnë dhe nuk mbështesin, sepse e dinë shumë mirë se në cilin mjedis jetojnë. Mund të kem mesazhe të ndryshme, kështu që mund të them “beso në veten dhe sytë e tu”, por në të njëjtën kohë është e vërtetë çfarë kam thënë më parë – se Beogradi ka mekanizma të fuqishëm të ndikimit në komunitetin serb – financim, veçanërisht lidership. Pra, përderisa statusi është i pazgjidhur në aspektin e njohjes publike ndërkombëtare, nuk mendoj që kjo të jetë nga Serbia, nuk është e nevojshme tani, unë mund t’i jap vetëm një këshillë: Jetoni si të mundeni dhe si të jetë më e sigurt për ju, sepse çdo gjë tjetër është rrezik.

A ka vend për një kompromis mes serbëve dhe shqiptarëve, nëse serbët nuk do të pajtohen kurrë me pavarësinë dhe shqiptarët nuk do të heqin dorë prej saj?

Janjic: Nëse marrim parasysh atë synim përfundimtar, përgjithësisht nuk ka asnjë marrëveshje dhe askush s’po përpiqet ta arrijë atë. Sigurisht, një kompromis është i mundur, por të pranosh që kjo ‘njohje e plotë ndërkombëtare’ do të vijë pas një kohe. Sa i përket njohjes së Serbisë, gjegjësisht të ashtuquajturës njohje reciproke, elita kosovare duhet ta kuptojë të vërtetën – Serbisë nuk i duhet njohja pas Kongresit të Berlinit, pas dy shekujsh ekzistence. Kosova ka nevojë për këtë. Sa i përket Serbisë, është shumë e rëndësishme që ajo të përcaktojë kornizën territoriale, gjegjësisht çështjen e kufijve. Ne kemi parë një përpjekje për ta zgjidhur këtë përmes ndarjes. Kjo padyshim nuk është e mundur në konstelacionin ekzistues ndërkombëtar. Prandaj, duhet kërkuar një kompromis për një autonomi më të lartë të serbëve, veçanërisht serbëve në veri të Kosovës.

Sipas jush, a mund të ketë ndonjë progres këtë vit për sa i përket negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?

Janjic: Nuk pres ndonjë përparim. Gjëja e parë që shoh janë dy liderë politikë. Nuk shoh vullnet politik. Të dyja palët – Vuçiq dhe Kurti po luajnë në status quo. Pra, mos zgjidhni asgjë. Së dyti, unë nuk shoh ndonjë iniciativë nga ana e BE-së, madje shoh bllokada, paaftësi të marrëveshjeve dhe inkurajim të asaj status quo-je. Megjithatë, ajo që shihet është synimi i Amerikës, së bashku me Gjermaninë dhe Britaninë, ndoshta duke anashkaluar institucionet e Bashkimit Evropian – po shohim se tani po caktojnë përfaqësuesin e tyre special për dialog – duke u përpiqur të arrijnë diçka.

Sipas jush, a do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe kur dhe si mund të duket ajo?

Janjic: Nëse lexojmë me kujdes atë që shkruhet në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme, në bisedimet për normalizimin dhe nëse respektohet ajo që përfaqëson korniza negociuese e BE-së me Serbinë, as kapitulli 35, e ashtuquajtura njohje reciproke nuk është e nevojshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pra, ideja është që përmes normalizimit të plotë të krijohen kushte që një ditë të flasim për njohje në kuptimin klasik të dërgimit të një ambasadori, deklaratë të qeverisë…

A është kjo realiste?

Janjic: E di që politikanë të këtij lloji që kemi tani në Ballkan dhe në një pjesë të mirë të Evropës, nuk është absolutisht e përshtatshme të largohen nga kjo linjë e përballjeve të mundshme, ndaj nuk pres që ekipet aktuale, por pres që Amerika t’i bëjë presion BE-së, sepse janë më pragmatikë dhe për t’i drejtuar ata në atë drejtim. Ne tashmë e shohim një shenjë të kësaj, ku Amerika po heq dorë nga presioni ndaj BE-së dhe vendeve të BE-së për ta njohur Kosovën, por për këtë po punon për shembull që edhe Kosova edhe Serbia të anëtarësohen në NATO. Kjo nënkupton njohjen indirekte të kapacitetit të Kosovës për të mbuluar sektorin e sigurisë në Ballkan, të cilin Serbia nuk mund dhe nuk e ka mbuluar.

(Kosova Sot Online)