Rasti i Xhafer Devës, Liga Shqiptaro Amerikane thotë se ministri kuisling ka shpëtuar hebrenj

  • E.K /
  • 18 February 2022 - 12:05
Rasti i Xhafer Devës, Liga Shqiptaro Amerikane thotë se ministri kuisling ka shpëtuar hebrenj

Debati mbi Xhafer Devën si kolaboracionist i nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ka fillet te propaganda serbe thotë ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi. Sipas tij,  historiani amerikano-izraelit Efraim Zuroff i ka dërguar një letër Shefit të Zyrës së BE-së në Izrael më 8 shkurt ku flet se shqiptarët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve dhe se kanë luajtur rol në krime kundër serbëve dhe hebrenjve.

Faton Bislimi në cilësinë e anëtarit ekzekutiv të Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane i ka dërguar një letër historianit Zuroff ku i ka listuar disa të dhëna historike se si shqiptarët kanë qenë shpëtimtar të hebrenjve gjatë L2B-së. Lidhur me letrën e Bislimit është deklaruar njëri nga familjarët e Xhafer Devës i cili thotë se ministrja e Jashtme Donika Gërvalla gjatë qëndrimit në Gjermani duhet të kërkojë llogari nga ministria e Punëve të Jashtme atje mbi deklaratat e ambasadorit gjerman Rohde.

Sipas Bislimit, letra e Zuroff dëshmon se është influencuar ose draftuar nga propaganda anti-shqiptare në Beograd.

“Propaganda serbe anti-shqiptare nuk lë guri pa lëvizur. Ata së fundi kanë tentuar të njollosin edhe storjen më unike të historisë kombëtare shqiptare, atë të shpëtimit të hebrejëve gjatë Holokaustit duke portretizuar Xhafer Deven si kolaboracionist të nazistëve. Qëllimi këtu nuk është veç Deva, por njollosja e komplet kësaj perle të historisë sonë që është unike në botë. Fillet e kësaj fushate janë në letren e Dr. Efraim Zuroff nga Simon Ëiesenthal Center në Jerusalem dërguar shefit të zyrës së BE-së ne Israel, Amb. Tzantchev, të datës 8 shkurt 2022. Kushdo që e lexon letren me vëmendje e sheh se në të, historiani Zuroff, më shumë merret me kinse “gjenocidin ndaj serbëve” sesa edhe me vet hebrejtë! Kjo dëshmon se letra e tij, nëse nuk është draftuar nga mekanizmat e propagandës anti-shqiptare të Beogradit, ajo gjithësesi është influencuar tejmase”, ka shkruar Bislimi

Anëtari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, në letrën dërguar historianit amerikano-izraelit ka paraqitur disa fakte përfshirë edhe një bisedë që ish-ministri i Brendshëm Xhafer Deva kishte pasur me disa hebrenj të cilëve ua kishte treguar listën që po kërkonin gjermanët dhe të cilëve u kishte thënë të mos brengosen.

“Fakti i fundit, e ndoshta edhe më i rëndësishmi, është artikulli nga Joseph Berger me titull “Dritësimi i Storjes Pak të Njohur të Shpëtimit të Hebrejëve nga Nazistët në Shqipëri,” i botuar në të përditshmen prestigjioze botërore, The Neë York Times, në Seksionin A, Faqen 9, të datës 19 nëntor 2013. Ja vetëm një citat i shkurtër nga ky artikull, i cili po ashtu është i paraqitur në librin tim në faqet 89-97:“Rafael Jakoel and kunati i tij shkuan në Tiranë për të takuar Ministrin e Brendshëm Xhafer Deva… Ministri u tregoi atyre listen me emrat e hebrejëve që po kërkonin gjermanët. Por, ‘besa’ ishte aq e fuqishme sa që ai nuk ua kishte dorëzuar atyre këta njerëz në listë, ka treguar Jakoel. “Përderisa ne jemi këtu, ju s’keni nevojë të brengoseni,” u kishte thënë Deva atyre, sipas Jakoel… “Por, nësë na ndodhë dicka neve, atëherë, ruajeni vetën”, ka shkruar Bislimi.

Lidhur me letrën e ish-deputetit Bislimi dërguar historianit amerikano-izraelit për Gazetën Express ka folur njëri nga familjarët e Xhafer Devës, Valdet Deva.

Deva thotë se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tash që është në vizitë zyrtare në Gjermani duhet të kërkojë përgjegjësi nga MPJ e Gjermanisë për deklaratat e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“Është e radhës, që pas prezantimit të fakteve nga z.Bislimi, znj. Gërvalla gjatë vizitës zyrtare në Gjermani të kërkojë përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për deklaratat shpifëse dhe poshtëruese të ambasadorit gjerman z. Rohde, deklarata e cila nuk njëllosë vetëm figurën e Xhafer Devës, por njëllosë historinë e tërë popullit shqiptar. Z. Bislimi e thotë shumë bukur, Xhafer Deva dhe populli shqiptar ishin përkrahës të shpëtimtarëve. Në anën tjetër presim me padurim kërkimfalje nga ambasadori Rohde”, tha ai

(Kosova Sot Online)