Lajmërohet 'Felixi', vëllai i Bashkim Osmanit, kosovarit të arrestuar si i dyshuar për rrjet ndërkombëtar të kokainës

  • E.K /
  • 21 February 2022 - 08:01
Lajmërohet 'Felixi', vëllai i Bashkim Osmanit, kosovarit të arrestuar si i dyshuar për rrjet ndërkombëtar të kokainës

Në pesë vjetët e fundit, mafia ka mbajtur deri në dhjetë “samite” sekrete në Majorka të Spanjës, raporton gazeta spanjolle “Ultima Hora“.

Takimet mes bosëve të mafias ishin ftuar nga Bashkim Osmani, manjati i famshëm nga Kosova, i cili u arrestua të martën në Poreç të Kroacisë.

Sipas raportimit të “Ultima Hora“, takimet sekrete bëheshin gjithmonë në verë. Takimi i fundit u zhvillua në fund të qershorit dhe fillimit të korrikut të vitit të kaluar.

Normalisht, siç shkruan gazeta spanjolle, të ftuarit ishin pesë ose gjashtë figura të shquara të botës së krimit në Evropë – “italianë nga ‘Ndrangheta’ kalabreze dhe ballkanas nga Kosova”.

Studiuesit janë të sigurt se “samitet” kishin mbi të gjitha një objektiv: përcaktimin e zonave të ndikimit të çdo klani dhe kufijtë e tyre. Disa iu përkushtuan prostitucionit, të tjerë trafikimit të kokainës dhe pjesa tjetër pastrimit të parave, shkruan “Ultima Hora“.

Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane (EUROPOL), të martën ka vënë në pranga Bashkim Osmanin.

Bashkim Osmani

Osmani u kap në Kroaci. Ai, para hetuesve policorë mohoi të ketë lidhje me trafikimin e drogës.

“Më shumë se 30 vjet që merrem me afarizëm legal, kam një shtëpi në Palma de Mallorca, prej nga erdha të shtunën, më 12 shkurt, nëpërmjet Londrës dhe Italisë për në Kroaci, dhe kisha një biletë të rezervuar për t’u kthyer të dielën, më 20 shkurt. Nuk e kam problem, të më dorëzojnë në duart e autoriteteve spanjolle, nuk kam lidhje me atë për çfarë më ngarkojnë”, tha Bashkim Osmani.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol.

Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.

Qazim Osmani, i cili drejton një rrjet të kazinove në Evropë, bashkë me vëllezërit e tij, Bashkimin, Burimin dhe Bekimin, prej vitesh jetojnë në Gjermani. Atje kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera evropianë.

Qazim Osmani i njohur me nofkën Felix, mbetet i lirë. Ai sonte (e diel) e ka publikuar një fotografi në llogarinë e tij në facebook, shkruan Demokracia.com.

“Këtu jam”, është fjalia e vetme që Felix-i e ka publikuar në gjuhën kroate dhe një fotografi të bashkangjitur. Qazim Osmani një kohë ka qenë i pranishëm në mediat serbe për lidhjet e tij të dashurisë me këngëtaret dhe modelet serbe e kroate.

Në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë.

(Kosova Sot Online)