Përplasje për ekonominë – kryeministri thotë se qytetarët po paguajnë me dëshirë më shumë tatime, Abdixhiku kërkon pako për t’i mbështetur

  • E.K /
  • 22 February 2022 - 11:54
Përplasje për ekonominë – kryeministri thotë se qytetarët po paguajnë me dëshirë më shumë tatime, Abdixhiku kërkon pako për t’i mbështetur

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pasur replika dhe kundërreplika me kryeministrin Albin Kurti lidhur me rritjen ekonomike.

Abdixhiku, i cili e hapi këtë temë, tha se Kurti po i krahason numrat me vitin e pandemisë (2020), kur ekonomia kishte shënuar rënien më të madhe që nga paslufta. Ai tha se Qeveria po u merr më shumë para qytetarëve përmes tatimeve.

“Tani po provohet të jepet një pasqyrë e një zhvillimi ekonomik që është i pashembullt, ndonëse pika bazike krahasuese është viti 2020. Një vitit të mbylljes ekonomike ku e kemi pasur rënien më të madhe ekonomike që pas luftës së vitit 1999”, tha ai.

Ekonomia është rritur gjithandej pas atij viti, thotë Abdixhiku, i cili përmend se rënia ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve.

“Inflacioni në Kosovë është 7.1%. Është rritja më e madhe historike në 22 vitet e fundit. Dhe në disa produkte bazike brenda një viti, rritja është deri në 40%. Çështja është çfarë bëni ju si qeveri?”, tha Abdixhiku, duke pyetur nëse Qeveria ka ndonjë pako fiskale.

“Në qoftë se p.sh. nafta sot është 1.42 cent dhe ju si Qeveri vazhdoni t’i merrni 36 cent akcizë dhe mbi të edhe 18% të tjera TVSH, normalisht që do të konsideroni që të ardhurat e doganës, ATK-së janë më të mira”, tha kryetari i LDK-së.

Abdixhiku kërkoi që Qeveria të marrë masa për ta bërë, për shembull, më të lirë çmimin e naftës.

Në kundërpërgjigje, kryeministri Kurti tha se qytetarët paguajnë më shumë tatime për shkak të “besueshmërisë së lartë” në Qeverinë e udhëhequr prej tij.

“Është e vërtetë që qytetarët paguajnë më shumë tatime… Gatishmëria e qytetarëve për të paguar më shumë tatime, unë besoj që vjen edhe nga fakti se nuk shohin skandale të korrupsionit në Qeveri. Pra, besueshmëria e qytetarëve është më e lartë në qeverisje, dhe rrjedhimisht kontributi për shtetin është më i madh”, tha Kurti.

Abdixhiku reagoi sërish, duke thënë se Qeveria aktuale është në trendin e 20 viteve të fundit, ndërsa tha se nuk po rritet baza prodhuese e vendit dhe se deficiti tregtar vazhdon të mbetet i njëjtë.

“20 vitet e fundit të Kosovës, nuk ka vit që këta numra nuk janë më të lartë se viti paraprak. Edhe buxheti rritet çdo vit për 10%. Pra, jeni në trend të 20 viteve. Dhe kur flisni për rritje të eksportit, duhet t’u tregoni qytetarëve se edhe importi është rritur për 4.6 miliardë, pra nuk po rritet baza jonë prodhuese. Deficiti tregtar vazhdon të jetë i njëjtë”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi sërish kërkesën e tij për një pako nga qeveria për t’i bërë më të përballueshme për qytetarët çmimet e produkteve.

“Ne po përballemi me një rritje të çmimeve përballë një pafuqie blerëse që ndryshon, dhe po kërkoj nga Qeveria një pako që e zbutë këtë përballje”, tha Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)