Dy dekada në heshtje përballë krimit të organizuar, Qeveria është para provimit të madh

Dy dekada në heshtje përballë krimit të organizuar, Qeveria është para provimit të madh

Gani Qarri

  • 22 February 2022 - 07:45

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas arrestimeve të fundit të personave të dyshimtë të mafisë shqiptare, para pak ditësh, kapjes së ish-sekretarit të MTI-së Burim Rreci dhe së fundi edhe të "biznesmenit" të dyshimtë nga Kosova, Bashkim Osmani, i cili akuzohet se drejtonte në rrjet të madh droge, nga Amerika latine, që për destinacion kishte Evropën, përfundimisht po u hapen dyert hetimeve më të hollësishme dhe më të thelluara të rrjeteve të krimit të organizuar edhe në Kosovë, që për dy dekada kanë funksionuar lirshëm dhe pa asnjë pengesë, në krim dhe shpërlaje të parasë së pistë.

Qeveria e re e Kosovës duhet urgjentisht t`ia parashtroj kërkesën zyrtare Prokurorisë Speciale, për hetimin e veprimtarisë edhe të qeveritarëve dhe udhëheqësve të dyshimtë të partive të inkriminuara politike, që përmbi 13 vite kanë mbajtur pushtetin, e të kërkojë përgjegjësi penale dhe ligjore për të gjitha dyshimet në mandatet e qeverisjeve të kaluara në nivel qendror e lokal, që heshtën dhe lejuan krimin si dhe depërtimin e parasë së pistë për ta shpërlarë në Kosovë, sidomos në fushën e ndërtimeve dhe të gjitha veprimtaritë e pa ligjshme nga mafia e trafikut të lëndëve narkotike dhe tregtisë me drogë.

Hetimet fillimisht duhet të përqendrohen në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, duke startuar që nga mandati i parë i Ismet Beqirit i ardhur në postin e kryetarit ne zgjedhjet komunale të vitin 2002, mandat të cilin e ka ushtruar për 5 vjet, deri në zgjedhjen e Isa Mustafës në vitin 2007. Kjo për faktin se Prishtina ishte vendi ku edhe nisi shpëlarja e parasë së pistë, pikërisht në mandatet e lartcekura, kur edhe pati filluar aksioni i dyshimtë me investimet masive që bëheshin në ndërtimtari prej rreth 500 milion euro në vit, kulmi i rritjes së të cilave, arriti në mandatin e Isa Mustafës dhe pastaj atë të Shpend Ahmetit, duke shkuar deri në 1 miliard euro brenda vitit, pa pyetur për origjinën dhe ligjshmërinë e gjithë këtyre parave. Madje kjo metodë e shpëlarjes së parave të dyshimta nuk është hetuar dhe zbardhur ligjërisht asnjëherë nga qeveritë e kaluara të cilat po ashtu duhet të jenë përgjegjëse dhe të lidhura me skandalet në fjalë, sepse qysh atëherë dirigjoheshin dhe komandoheshin nga SHIK-u ilegal, jo me letra e dokumente oficiale, por me porosi dhe urdhra gojor.

Traditë që erdhi duke u thelluar dhe perfeksionuar edhe më shumë në mandatin e Shpend Ahmetit i cili pas zgjedhjeve lokale të nëntorit të vitit 2013, nga Isa Mustafa e merr mandatin e kryetarit të komunës së Prishtinës dhe qëndron për dy mandate rresht në këtë pozitë, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2021.Pra aty edhe u zgjerua e thellua kaosi 8 vjeçar dhe akti i keq qeverisjes e shpëlarjes së parasë së pistë në fushën e ndërtimeve në komunën e Prishtinës, të zhvilluara pa asnjë pengesë, para hundëve të Qeverisë qendrore, Prokurorisë komunale dhe asaj të shtetit, si dhe AKI-së, por që asnjëra prej tyre, nuk ndërmorën asnjëherë, asnjë veprim të vetëm, për ta hetuar dhe parandaluar këtë krim.Përgjegjësi për lejimin e nisjes së krimit në ndërtim, dhe degradim të Prishtinës, përmes pastrimit të parasë së pistë të rrjeteve të drogës e prostitucionit gjithsesi ka pasur edhe kryeministri i parë Bajram Rexhepi, i cili e ka ushtruar këtë mandat nga 4 marsi i vitit 2002 deri më 3 dhjetor 2004, kur është zëvendësuar nga Ramush Haradinaj më 3 dhjetor 2004, të cilit ju ndërpre mandati nga Gjykata e Hagës, për ta vazhduar atë mandat të AAK-s Bajram Kosumi nga 25 Marsi 2005, deri më 10 Mars 2006, dhe Agim Çeku nga 10 Mars 2006 deri më 9 janar 2008.

Pas Agim Çekut mandatin e merr SHIK-u dhe PDK me Hashim Thaçin në krye, nga 17 shkurt 2008 deri më 9 dhjetor 2014, por asgjë pozitive për ta luftuar këtë fenomen kundërligjor, nuk ka ndodhur as në mandatin e Isa Mustafës të filluar më 9 dhjetor 2014 e deri më 9 shtator 2017, koalicioni PDK- LDK, kur u rrëzua Isa Mustafa dhe në pozitë të kryeministrit vjen Ramush Haradinaj në koalicionin e PAN-it deri më 3 shkurt 2020. Nga 3 shkurti i vitit 2020, vije Qeveria jetëshkurtër Kurti-1, deri më 3 qershor 2020, kur me inskenimet e Thaçit, Isa Mustafës dhe patericës së tyre, Ramush Haradinaj, katapultohet në mënyrë kundër kushtetuese Avdullah Hoti i LDK-s deri më 22 mars 2021, kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi nga pushteti i kundërligjshëm.Të gjitha këto Qeveri të ndërruara në mandate asnjëherë të plota, në nivelin qendror, dhe atë lokal, nuk kanë bërë asnjë veprim për të ndjekur dhe ndëshkuar krimin e organizuar, duke lejuar të veprojë lirshëm në pastrimin e parave të pista sidomos në fushën e ndërtimeve, me fokus kryesor në Prishtinë, si dhe në komunat kryesore gjithandej Kosovës.

Instalimi i krimit të organizuar ka filluar qysh në mandatin e UNMIK-ut, kur kryeprokuror i parë ishte Ilmi Zhitija 2011-2014, por totalisht të heshtura dhe të dorëzuara para krimit galopant, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të gjitha institucionet e drejtësisë, KPK dhe KGJK, edhe kur në këtë pozitë për 7 vite me radhë, u katapultua kryeprokurori (PRONTO-së) në largim Aleksandër Lumezi. Megjithëse Lumezi në këtë pozitë është emëruar më 21/04/2015, dhe ka vetëm edhe pak kohë,1-2 muaj deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, rezultatet në punën e tij dhe institucionit që ai ka drejtuar për 7 vite me radhë, janë zero! Prandaj pas daljes në skenë të aferave të njëpasnjëshme të krimit të organizuar dhe skandaleve të qarkullimit dhe tregtimit të drogës, në përmasa alarmuese, që nga Lumezi të gjithë drejtuesit aktual dhe ish drejtuesit e institucioneve të shtetit, të kapura e ndikuara nga nëntoka kriminale, duhet të japin përgjegjësi për dështim në sundimin e ligjit dhe të lidhjes me krimin e organizuar i cili po i qet hije të zezë dhe imazh tepër negativ gjithë shtetit të Kosovës. Dhe me një VETTING të menjëhershëm, të detajuar dhe të zhvilluar me kujdes të shtuar, duhet urgjentishtë të shkarkohen dhe vihen në bankën e të akuzuarve, vet kryeprokurori dhe të gjithë prokurorët e gjyqtarët e kapur e të dështuar, për mos hetim e mos veprim, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Kështu që, Kosova duhet ta sjellë një kryeprokuror të specializuar nga jashtë, sepse siç është dëshmuar tash e mbi dy dekada, pothuajse të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët vendor, pak a shumë, janë të njëjtë dhe është jo vetëm shumë e vështirë, për ndoshta edhe krejtësisht e pamundur, që të ketë një prokuror apo kryeprokuror të përgatitur edhe nga vet Prokuroria Speciale për ti hetuar të gjithë pushtetarët e dyshimtë të mandatit të kaluar për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, ngase në një mënyrë apo tjetër, mund të dalin edhe vet prokurorët dhe gjyqtarët e shantazhuar, të involvuar deri në fyt, në ndyrësitë e politikanëve të inkriminuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".