Do fusnin 1 mln euro false në Shqipëri, edhe një zvicerane bashkëpunëtore e dy kamerunasve

  • E. /
  • 25 February 2022 - 12:09
Do fusnin 1 mln euro false në Shqipëri, edhe një zvicerane bashkëpunëtore e dy kamerunasve

Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Lastra” në lidhje me 1 milion euro të dyshuara të falsifikuara që iu kapën një kamerunasit në datë 17 shkurt në Rinas.

Mbrëmjen e djeshme, Seksioni për Krimin Ekonomik në Tiranë ka arrestuar bashkëpunëtoren e dy kamerunasve të prangosur më herët, 40 vjeçaren nga Zvicra Xheni Chollet. Policia ka zbuluar edhe skemën e mashtrimit që do të kryenin 3 shtetasit e huaj të arrestuar. Rol kryesor mësohet se ka pasur 45 vjeçari Zinedin Nkeh.

Në sajë të hetimeve, policia ka dyshime se shuma prej 1 milion eurosh e falsifikuar do të përdorej për blerjen e një prone, duke mashtruar një biznesmen.

Sakaq, uniformat blu bëjnë me dije se në banesën e shtetases nga Zvicra në Tiranë janë gjetur lastra dhe produkte të tjera që shërbejne për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.

40 vjeçarja zvicerane e arrestuar mbrëmjen e djeshme kishte rreth 2 vite që jetonte në Shqipëri pa pasur leje qëndrimi apo leje pune. Ajo prezantohej në vendin tonë si agjente imobilare dhe se bashkëpunonte me një shoqatë të huaj. 

(Kosova Sot Online)