
Pasi e mori vendimin 100 miliardësh për ushtrinë, kancelari gjerman thotë se Putini do të paguajë çmim të lartë

Kancelari gjerman Olaf Scholz u zotua të dielën se “shumë shpejt udhëheqja ruse do ta ndjejë se çfarë çmimi të lartë do të duhet ta paguajnë” për pushtimin e Ukrainës, pasi njoftoi se do ta rrisë buxhetin për ushtrinë gjermane në një seancë të posaçme me ligjvënësit, raporton CNN.
Presidenti rus Vladimir Putin “nuk do ta ndryshojë rrugën e tij brenda natës”, tha Scholz.
“Dje vendosëm që Gjermania të dorëzojë armë në Ukrainë për t’u mbrojtur. Agresioni i Putinit do të thotë që ne nuk mund të japim ndonjë përgjigje tjetër”, shtoi ai.
Scholz përmendi gjithashtu paketën e sanksioneve kundër Rusisë, e cila tha se është e paprecedentë.
Sulmi rus ndaj Ukrainës është “i neveritshëm – ai shkel ligjin ndërkombëtar, ai nuk mund të justifikohet”, tha Scholz.
“Fotografitë e tmerrshme që shohim nga Kievi, në Mariupoli, tregojnë se sa i paskrupullt është Putini. Kjo është kaq e padrejtë, dhimbja e ukrainasve, është vërtetë shumë afër zemrave tona”, tha ai.
Scholz përmendi vendimin e BE-së për t’i hequr bankat ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT dhe tha se “bankat dhe kompanitë ruse do të ndërpriten nga financimi. Ne do të fokusohemi te oligarkët në BE. Ne kemi masa ndëshkuese kundër Putinit dhe njerëzve përreth tij”.
“Ne duhet të mbështesim Ukrainën në këtë situatë të dëshpëruar dhe këtë e kemi bërë gjatë javëve dhe muajve të fundit, sulmi ndaj Ukrainës do të thotë se jemi në një kohë të re. Si demokratë, si evropianë, ne jemi në anën tuaj, në anën e duhur të historisë”, tha Scholz.
(Kosova Sot Online)