“Kosova ka një numër të madh të të rinjve”, Kurti në samitin për Ballkanin Perëndimor flet për situatën ekonomike në vend

  • E.K /
  • 28 February 2022 - 12:15
“Kosova ka një numër të madh të të rinjve”, Kurti në samitin për Ballkanin Perëndimor flet për situatën ekonomike në vend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është duke marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2022, në Londër.

Ai, para këtij paneli, ka folur për situatën e ekonomisë në vend dhe për prioritetet që ka Qeveria në këtë aspekt.

Kurti, në fillim të fjalimit ka përmendur Ukrainën, duke thënë se e mbështesin këtë shtet dhe se qëndrojnë pranë shteteve aleate të BE-së dhe botës që e kundërshtojnë agresionin rus.

“Kosova ka një numër të madh të të rinjve, shumica e tyre flasin rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjermane. Ne si qeveri kemi punuar në mbështetjen dhe përkrahjen e tyre në ekonomi, kjo duke investuar dhe duke ndarë bursa në fusha si ajo e shkencave kompjuterike”,ka thënë Kurti.

Kurti deklaroi se për nëntë muaj e parë të qeverisjes së tij, vendi pati një rritje ekonomike.

“Patëm një menaxhim të mirë me pandeminë COVID-19, patëm vaksinim të shpejtë të popullit, i përdorëm vetëm vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer, edhe pse pandemi patëm një përparim të shpejtë të ekonomisë, patëm investime edhe nga diaspora jonë, po ashtu patëm edhe rritje të eksporteve”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit kosovar ka theksuar se prioritet i tyre në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit është investimi në zhvillimin e energjisë së gjelbër, investimet në fushën e ndërlidhjes infrastrukturore, duke përmendur autostradën Prizren-Tetovë si dhe hekurudhën Prishtinë-Durrës si dhe zhvillimet dhe investimet në tregun e punës.

(Kosova Sot Online)