Afera “SUBVENCION” dhe lufta kundër fajdeve, dëshmojnë se ka prokurorë të pavarur nga SHIK-u!

Afera “SUBVENCION” dhe lufta kundër fajdeve, dëshmojnë se ka prokurorë të pavarur nga SHIK-u!

Gani Qarri

  • 28 February 2022 - 07:20

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Presioni publiko-qytetar dhe mediet e pavarura vendore, po e detyrojnë Prokurorinë Speciale të Kosovës, që me gjithë ngathtësinë dhe vështirësitë e mëdha nga ndikimi i para-politikës kriminale dhe SHIK-ut ilegal, përfundimisht të fillojë të zgjohet nga gjumi, dhe ti shpallë luftë krimit të organizuar me ata pak-prokuror që ende janë me duar të pastra, kanë guxim e vullnet për tu ballafaquar me korrupsionin e krimin e organizuar dhe janë të vendosur për ta luftuar të keqen deri në fund.

Madje top-procesi hetimor dhe arrestimet me bazë të gjerë të filluara që vitin e kaluar në aksionin SUBVENCION, më në fund, kanë dërguar në pranga dhe ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të inkriminuar në këtë çështje, të cilët abuzuan me milionat e shtetit të Kosovës, për subvencionimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, duke përfituar 646 mijë euro e dhënë hiq me pak se 316 mijë euro ryshfet. Aksion i filluar para një viti ka rezultuar me përmbylljen dhe njoftimin zyrtar sipas të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzetenjë të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencionet, ”Aktakuzë e ngritur për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 KPRK-së, “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 KPRK-së.

Pastaj, “Mashtrim në detyrë” nga neni 419 të KPRK-së, “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 i KPRK-së, “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 të KPRK-së, si dhe “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390 të KPRK-së dhe në grupin e akuzuar 11 të pandehur janë persona zyrtar, kurse 10 të pandehurit tjerë, janë përfitues të subvencioneve me dhënie ryshfeti dhe dokumentacion të falsifikuar. Po ashtu Prokuroria Speciale ka propozuar që nga të akuzuarit në fjalë, të konfiskohet edhe dobia pasurore e fituar me kryerjen e veprave penale, e cila kap vlerën e rreth pesëqind mijë (500,000) eurove, si dhe të disa veturave që dyshohet se janë pjesë e përfitimit të kundërligjshëm nga kjo aferë.

Ndërsa veprimi tjetër ligjor, që meriton të përshëndetet, për fillim të guximshëm të ballafaqimit me krimin e organizuar, është edhe aksioni i sapo përfunduar kundër fajdexhinjve në të cilin janë arrestuar 17 persona të hetuar dhe zbuluar, se bënin ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale, ndaj si masë e parë veprimi, kundër të arrestuarve është shqiptuar masa e ngrirjes së pasurisë me vlerë prej mese 5 milion eurove. Sipas informatave të para nga Prokuroria, hetimi i këtij grupi kriminal kishte filluar në muajin nëntor të vitit 2021 ku sipas rezultatit të hetimeve, në këto vepra penale, ishin të përfshirë mbi 20 persona, kurse bastisjet u kryen në 21 lokacione, në 17 raste në shtëpi banimi, ndërsa katër tjera, ishin biznese.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar armë të llojeve të ndryshme, 10 vetura, dokumente të shumta, fatura , kontrata dhe fletore relevante për rastin, si dhe 457 mijë euro para "cesh" që janë gjetur te të dyshuarit gjatë aksionit për fajde. Madje në lidhje me këtë veprimtari kriminale janë ngrirë 20 banesa, 104 parcela tokë, prej të cilave 21 ishin troje ndërtimore ndërsa pjesa tjetër tokë bujqësore.E gjithë kjo dëshmon katërçipërisht se edhe Kosova ka prokuror të guximshëm të cilët mund dhe duan të ballafaqohen me krimin e organizuar, kur ata i mbron dhe garanton shteti dhe ligji, i një qeverie të pa kapur nga krimi dhe pushteti të pa korruptuar politik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".