Kosova po sanksioneve ndaj Rusisë, Turqia jo. Çfarë tha Osmani dje para Erdogan?

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 12:22
Kosova po sanksioneve ndaj Rusisë, Turqia jo. Çfarë tha Osmani dje para Erdogan?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se bota e demokratike vetëm e bashkuar mund ta mposhtë presidentin rus, Vladimir Putin dhe siç i ka quajtur ajo satelitët e tij. Osmani tha se Kosova rrezikohet nga agresioni rus për shkak të tendencave të vazhdueshme që përmes Serbisë të destabilizohet situata në vend. Kosova i ka vendosur sanksione Rusisë, por jo edhe Turqia.

Osmani në takim me presidentin e Turqisë, Recepp Tayip Erdogan theksoi se përveç Kosovës në rrezik nga Rusia është edhe Bosnja e Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit.

“Theksova se tendencat e Rusisë janë mjaft të qarta dhe ato nuk kufizohen gjeografikisht vetëm në pjesët e pushtuara të Ukrainës. Përpjekjet për destabilziim në Ballkanin Perëndimor, Rusia i ka nisur qysh më herët përmes aleates së saj Serbisë. Ballkani i destabilizuar do të cenonte jo vetëm interesat e vendeve në Ballkan por edhe interesat e Turqisë dhe interesat e gjithë kontinentit tonë”, tha ajo.

Sipas Osmanit është Serbia ajo e cila me përkrahjen e Rusisë po tenton që të destabilizojë vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën.

“Prandaj të gjithë së bashku duhet të bëjmë çdo gjë që të mos lejojmë që të cenohet paqja, liria, demokracia dhe që të cenohet siguria dhe integriteti territorial i shteteve siç janë Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe shtete e tjera në rajon që po tenton t’i destabilizojë Serbia me përkrahjen e Rusisë”, tha më tutje ajo.

Presidentja pohoi se bota demokratike duhet që me vendosmëri t’i përgjigjet Putinit dhe siç i ka quajtur ajo “satelitë”, bashkëpunëtorët e presidentit rus.

“Bota demokratike duhet që me vendosmëri t’i përgjigjet Putinit dhe satelitëve të tij. Me veprimet prej agresori, Rusia nuk e kërcënon vetëm atë rajon, por sfida bie mbi gjithë Evropën. Na duhet unitet i plotë dhe vendosmëri ndaj tendencave të tyre edhe në Ballkanin Perëndimore.  Imazhet e tmerrshme nga Ukraina në rikujton sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik si e vetmja mënyrë për t’u dal ballë hegjemonisë. Prandaj jemi në koordinim të vazhdueshmen me aleatët tanë për të mos lejuar destabilizimin e  rajonit tonë dhe jam e bindur se me bashkëpunimin tonë, liria dhe demokracia do të triumfojnë sërish”, deklaroi Osmani.

E pas situatës së krijuar së fundmi në Ukrainë ku Rusia ka filluar agresionin ushtarak për pushtim, Osmani tha se është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në NATO.

Në këtë mënyrë, sipas saj rajoni do të jenë në paqe dhe me siguri më të madhe.

“Duke e parë atë që po ngjan në Ukrainë, është e natyrshme dhe është imperativ I kohës së tashme që Kosova të anëtarësohet në NATO, në këtë organizatë ku Turqia ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Në kuadër të NATO-s, Turiq mund të bëjë shumë duke i dhënë Kosovës përkrahje të drejtpërdrejt, por përmes Kosovë i jep përkrahje të drejtpërdrejtë edhe paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin tonë, por pastaj edhe në gjithë kontinentin e Evropës”, tha ajo.

Ndërsa pala turke ka bërë me dije se nuk do t’i vendos sanksione Rusisë pasi siç thuhet duhet të mbetet dikush që ka komunikim me Rusinë.

(Kosova Sot Online)