Konjufca takon von Cramon: Të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 12:06
Konjufca takon von Cramon: Të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel, e cila u shoqërua nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e eurodeputetes, duke e cilësuar si zë të fuqishëm në Parlamentin Europian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së.

Ai po ashtu theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryeparlamentarit me eurodeputeten.

Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t’i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

Ajo ka marrë pjesë edhe në seancën e Kuvendit ku po votohet rezoluta që dënon agresionin rus në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)