
Hulumtimi: Top-lista e popujve në Europë që kanë pretendime territoriale ndaj fqinjve

Qendra Kërkimore “Pew”, një institut amerikan i mendimit jopartiak me qendër në Washington, D.C. e ka publikuar në shkurt një sondazh të thellë rreth qëndrimeve ndaj NATO-s. Si pjesë e këtij hulumtimi, kjo qendër i ka pyetur qytetarët europianë rreth qëndrimeve të tyre për territoret e vendeve fqinje.
Të pyetur se “a ka pjesë të vendeve fqinje që iu përkasin juve”, 67% e hungarezëve të anketuar u përgjigjën me pohim. Hungarezët del të jenë qytetarët që kanë më së shumti pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje në Europë.
Greqia dhe Bullgaria janë vendet që gjithashtu kanë numër të lartë të përqindjes së qytetarëve që mendojnë se pjesë të vendeve fqinje iu takojnë shteteve të tyre. Greqia e pason Hungarinë me 60% dhe pas saj vjen Bullgaria me 58%.
Në Rusi, ku aneksimi i Krimesë çoi në një krizë ndërkombëtare e kur forcat ruse u përgatitën për pushtimin e Ukrainës, 53% e të anketuarve pohuan se pjesë të vendeve fqinje u përkasin atyre.
Pavarësisht se qëndrimet kanë ndryshuar në mënyrë drastike vitet e fundit, tre në dhjetë gjermanë ende mendojnë se disa nga tokat e fqinjve të tyre i përkasin shtetit të tyre, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar pjesa që mendon kështu është më pak, megjithëse mbetet ende në 23%.
Përqindjet e qytetarëve të Kosovës dhe fqinjve të tyre nuk janë përfshirë në hartë, pasi vlerësohet të jenë nën 10.
(Kosova Sot Online)