
Pas aksionit “Brezovica 3”, zv.ministri i Drejtësisë: Vendi do të kthehet nga e mbara

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, dhe me urdhër të Gjykatës Themelore të po kësaj komune, ka zhvilluar aksionin “Brezovica 3”, i cili ka rezultuar me 8 të arrestuar, ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe pronarë të kompanive ndërtimore.
Për këtë aksion ka folur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se arrestimet të cilat janë kryer të enjten në disa komuna për aferën “Brezovica”, tregojnë përkushtimin e Qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Sallahu ka thënë me veprime si këto “vendi do të kthehet nga e mbara”.
“Vazhdimi i hetimeve për aferën ‘Brezovica’ ka çuar sot në arrestimin e edhe të 7 personave të tjerë, 3 nga të cilët ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe 4 pronarë të kompanive ndërtimore. Ndërkohë, janë kryer po ashtu edhe dhjetëra bastisje në disa qytete të vendit tonë lidhur me rastin dhe provat për të dyshuarit. Sot, si Qeveri me përkushtim maksimal për luftim të krimit dhe korrupsionit në çdo sferë, jemi të bindur se vendin tonë do ta kthejmë kah e mbara. Vetëm kështu garantohet shteti i së drejtës të cilin patjetër që do ta bëjmë”, ka shkruar Sallahu.
(Kosova Sot Online)