Sekretari Blinken: S’kërkojmë konflikt me Rusinë, por nëse konflikti vjen ne jemi të gatshëm

  • E.K /
  • 04 March 2022 - 11:08
Sekretari Blinken: S’kërkojmë konflikt me Rusinë, por nëse konflikti vjen ne jemi të gatshëm

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se nuk kërkojnë konflikt me Rusinë, por janë të gatshëm ta mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.

Kryediplomati amerikan po qëndron në Evropë dhe ka zhvilluar takime me ministrat e jashtëm të aleancës veriatlantike në Bruksel, shkruan Reuters.

“Aleanca jonë është mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë konflikt. Por nëse konflikti vjen te ne ne jemi të gatshëm për të dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha ai para gazetarëve, duke dënuar sulmin rus mbi civilët në Ukrainë.

“Gjatë natës, ne kemi parë gjithashtu raportime për sulmin në një centrali bërthamor. Kjo thjesht tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë që Rusia të tërheqë të gjitha trupat e saj dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike”, u shpreh Blinken.

Shefi i diplomacisë amerikane gjatë qëndrimit të tij në evropë do t’i vizitojë shtetet anëtare të NATO-s që shtrihen në kufi me Rusinë siç janë Estonia, Polonia, Rumania e Lituania.

(Kosova Sot Online)