Udhëtoi në Moskë e Berlin, foli në telefon me Zelenskyn, çfarë thotë Bennett pas kthimit në Izrael?

  • A.P /
  • 06 March 2022 - 13:09
Udhëtoi në Moskë e Berlin, foli në telefon me Zelenskyn, çfarë thotë Bennett pas kthimit në Izrael?

Kryeministri izraelit Naftali Bennett ka folur në telefon me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky për herë të tretë brenda ditës, pas udhëtimit në Moskë e Berlin në përpjekjen e tij për ndërmjetësim.

Në hapje të mbledhjes së kabinetit të tij këtë të diel, Bennett tha se Izraeli ka obligim moral që të përpiqet t’i japë fund vuajtjeve njerëzore në luftën në Ukrainë.

Bennett këtë deklaratë e bëri pas telefonatës me Zelenskyn, të cilin e informoi me të rejat për udhëtimin njëditor të tij në Moskë, si dhe për takimin e mëpastajmë me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Shkova në Moskë dhe Berlin për të ndihmuar në vendosjen e një dialogu mes të gjitha palëve, me bekimin dhe inkurajimin e të gjithë akterëve”, tha Bennett.

Bennett tha se “edhe nëse shanset nuk janë të mëdha”, ai e sheh këtë si “përgjegjësi morale të Izraelit të bëjë çdo përpjekje”, meqë ai ka kontakte të mira me të dyja palët e konfliktit.

“Situata në terren nuk është e mirë. Vuajtjet e njerëzve janë të mëdha dhe mund të rriten nëse gjërat vazhdojnë në këtë rrugë siç janë”.

Kryeministri izraelit po ashtu ka folur edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron. Derisa me Scholz, ai u takua gjatë darkës për rreth një orë e gjysmë të shtunën dhe diskutoi për luftën në Ukrainë.

Zelensky i kishte kërkuar Bennettit që të provojë të organizojë një samit me Putinin në Jerusalem përpara se Rusia të fillojë agresionin në vendin e tij dhe i ka kërkuar atij që të ndërmjetësojë në mes Ukrainës dhe Rusisë.

(Kosova Sot Online)