Qyteti nën rrethim dhe i bombarduar vazhdimisht nga rusët, kryetari: Do t’i mposhtim, jam i sigurt

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 15:37
Qyteti nën rrethim dhe i bombarduar vazhdimisht nga rusët, kryetari: Do t’i mposhtim, jam i sigurt

Kryetari i qytetit të Kharkivit, Ihor Terekhov, i tha CNN se është “absolutisht i sigurt” se do t’i mposhtin forcat ruse.

Nën rrethim dhe duke u përballur me bombardime të vazhdueshme nga ana e rusëve, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës ende po reziston dhe është në gjendje ta vazhdojë jetën, tha Terekhov të martën.

Granatimet nga artileria e rëndë, sulmet ajrore dhe zjarri në lagjet e banuara e kanë lënë qytetin verilindor të shkatërruar, por ai ende nuk ka rënë në duart e rusëve dhe “do të përballojë” falë ushtrisë ukrainase, këmbënguli Terekhov.

Gjatë javës së kaluar, forcat ruse kanë shënjestruar zonat e banuara në Kharkiv, duke goditur shkolla, dyqane, spitale, blloqe apartamentesh dhe kisha.

Qyteti me 1.5 milionë banorë ka nevojë për “gjithçka”, nga ushqimi, ilaçet dhe rrobat e ngrohta, tha Terekhov.

Kharkiv ka qenë një nga zonat më të bombarduara në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, me Terekhov që e quajti bombardimin e lagjeve civile “gjenocid”.

“Çfarë mund të jetë tjetër? Nuk ka infrastrukturë ushtarake, asnjë objekt ushtarak në këto zona”, tha Terekhov.

“Ky nuk është aksident. Unë mund ta kuptoj kur ka goditje aksidentale. Por kur goditen qindra ndërtesa civile, kjo nuk është rastësi. Ky është një sulm i synuar”.

Kremlini ka mohuar të ketë shënjestruar infrastrukturën civile në Ukrainë, pavarësisht viktimave të shumta të dokumentuara.

(Kosova Sot Online)