79-vjeçarja kosovare që 25 herë i përballoi elektroshokut e disa herë pësoi vdekje klinike

  • G.G /
  • 10 March 2022 - 10:53
79-vjeçarja kosovare që 25 herë i përballoi elektroshokut e disa herë pësoi vdekje klinike

Një rast unik ka ndodhur para disa ditëve në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK, një zonjë në moshë të shtyrë kishte shkuar për të marrë trajtim mjekësor. Ajo atje, u pranua me infarkt masiv në zemër.

Në moshën 79 vjeçare, kjo zonjë me inicialet J.S futet në sallë ku disa herë pëson vdekje klinike.

Sipas doktorit Jetmir Sejdiu, në sallën e operacionit kjo zonjë reanimohet me elektroshok mbi 25 herë.

“Ishte një luftë për jetë a vdekje. Pacientja pastaj bën bllok total atrioventrikular, ku i vendosim baterinë apo PM e përkohshëm dhe pas më shumë se 2 orësh ne arrijmë ta hapim arterien që e ka shkaktuar sulmin në zemër dhe ta kthejmë në jetë pacienten”, ka rrëfyer doktori i cili e ka operuar 79-vjeçaren. 

Doktori theksoi se ky operim ishte një sfidë për të gjithë stafin.

“Ishte një kënaqësi e veçantë për të gjithë ekipin, sepse kjo paciente e donte shumë më shumë jetën se vdekjen. Kjo na bëri që as ne të mos dorëzohemi dhe sot kur e liruam u ndjemë vërtetë mirë, por edhe të privilegjuar që falë punës së jashtëzakonshme të të gjithë ekipit, edhe Zoti deshi që ajo të kthehet prapë në mesin familjar”, rrëfen doktor Jetmir Sejdiu. 

E në QKUK ditë më parë është kryer edhe një tjetër operacion i rrallë.

Një 55-vjeçar ishte therrur me thikë në shpinë, ku kishte pësuar lëndim të rëndë të aortës së gjoksit.

Nga QKUK kanë dhënë detaje edhe për këtë rast.

“Puna ekipore e mjekëve të disa klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nën udhëheqjen e kirurgut vaskular, anesteziologut, kirurgut torakal, kardiokirurgut dhe ekipit përcjellës, ka shpëtuar jetën e një 55 vjeçari të therrur me thikë. Pacienti i therurr me thikë në shpinë kishte pësuar lëndim të aortës së gjoksit, kurse pas mobilizimit të ekipeve kujdestare dhe operacionit që ka zgjatur disa orë, është arritur të shpëtohet jeta që po rrezikohej çdo moment.”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së të bërë ditë më parë.

Mjekët theksuan se operacioni i tillë ishte shumë i rëndë dhe në të shumtën e rasteve operimet e tilla përfundojnë me fatalitet.

“Përveç lëndimit të Aortës së gjoksit kishte dhe dëmtimi të përsëritshëm të palcës së kurrizit. Operacioni ishte shumë kompleks dhe është kryer me sukses të plotë. Lëndimet e tilla në shumicën e rasteve janë fatale për pacientin. Në QKUK është hera e parë që kryhet ky lloj i intevenimit të rëndë”, theksojnë tutje mjekët e QKUK-së. 

(Kosova Sot Online)