Fjalët e Hill para nisjes për Serbi pasi betohet si ambasador: Çanta ime s’do të jetë e rënduar me të kaluarën

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 13:07
Fjalët e Hill para nisjes për Serbi pasi betohet si ambasador: Çanta ime s’do të jetë e rënduar me të kaluarën

Ambasadori i ri amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka dhënë betimin e tij në SHBA për postin e ri dhe është duke u bërë gati për t’u nisur në Beograd.

Ai tha se rajoni ka ndryshuar shumë që kur ishte ai për herë të fundit dhe se po shkon në Serbi me një perspektivë të re.

“Gruaja ime Julie dhe unë mezi presim që Beogradin ta bëjmë shtëpinë tonë përgjatë viteve të ardhshme dhe të njohim Serbinë, si dhe njerëzit e saj dinamikë. Kaq shumë ka ndryshuar që kur isha për herë të fundit në Beograd dhe në rajon. Kam mësuar gjatë viteve të respektoj historinë dhe të përpiqem të mësoj mësime komplekse të saj, por çanta ime nuk do të jetë e rënduar me të kaluarën – po vij me një perspektivë të re për Serbinë e 2022-ës, në një vend që e shohin Shtetet e Bashkuara si një partner dhe mik të rëndësishëm”.

Hill, në një deklaratë që e ka publikuar ambasada amerikane në Beograd, ka thënë se këtë detyrë po e nis me në kohë të trazuara, por se beson që dy vendet i bashkon një frymë dhe ton konstruktiv, si dhe vetëdija që kanë interesa të përbashkëta.

“Dua të shoh që marrëdhëniet tona dypalëshe të rriten dhe të përparojnë si kurrë më parë dhe dëshiroj veçanërisht që marrëdhënia jonë të dalë nga këto sfida globale më mirë dhe më e fortë. Unë besoj në vizionin e një marrëdhënieje dinamike Serbi-SHBA, e bazuar në një themel të thellë të respektit të ndërsjellë”.

Hill e përfundoi deklaratën duke thënë se mezi pret që të japë kontributin e tij “në epokën më produktive që dy vendet tona kanë pasë ndonjëherë së bashku”.

Hill ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Maqedoni nga viti 1996 deri në vitin 1999 dhe si emisar special në Kosovë në vitet 98-99. 

(Kosova Sot Online)