
Mitropoliti i Kishës Ortodokse serbe: 'Mali i Zi mund të bëhet një Ukrainë e vogël'

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi u ka bërë thirrje të gjithë liderëve, përfshirë udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), të shprehin mbështetje për popullin e guximshëm të Ukrainës që kanë rënë viktimë e vrasjeve të pamëshirshme, ku qëllimi i vetëm i Presidentit Putin është të arrijë qëllimet e tij gjeostrategjike pas deklaratave nxitëse të Mitropolitit të Kishës serbe në Mal të Zi.
Ambasada amerikane në Podgoricë në përgjigjjen e saj për Radio Evropa e Lirë (REL), me rastin e deklaratës së Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Joaniki, se Mali i Zi parashihet të jetë një Ukrainë e vogël.
Në përgjigjen e Ambasadës thuhet gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin mban përgjegjësi të plotë për sulmin imoral, të pajustifikuar, dhe të paprovokuar ndaj popullit të Ukrainës.
“Duke ditur se çfarë është i aftë të bëjë Presidenti Putin, është koha që Mali i Zi të dyfishojë përpjekjet e tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE) në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e tij – një shtet prosperues dhe demokratik evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.
Më 13 mars, Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, deklaroi se "ngjarjet në Ukrainë janë pasoja të mosbesimit në Zot" dhe se "Mali i Zi parashihet të jetë një Ukrainë e vogël".
Disa parti dhe një pjesë e popullatës e cilësuan deklaratën si të rrezikshme.
Në deklaratën e tij, Joanikije bëri thirrje për lutje "për popullin ortodoks të Ukrainës", por nuk dënoi agresionin ushtarak të Rusisë kundër këtij vendi, i cili ka vazhduar që nga 24 shkurti.
Rikujtojmë se më 9 mars, Parlamenti Evropian (PE) dënoi Rusinë për shfrytëzimin e tensioneve etnike në Ballkanin Perëndimor për të ndezur konflikte dhe përçarje.
Rezoluta e PE përmend gjithashtu "përpjekjet e Kishës Ortodokse për të promovuar Rusinë në vende të tilla si Serbia, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina, veçanërisht në entitetin Republika Srpska, si një mbrojtëse e vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës."
(Kosova Sot Online)