Fjalimi me videolidhje para Bundestagut/ Zelenskyy kritikon Berlinin, duartrokitet nga deputetët

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 15:33
Fjalimi me videolidhje para Bundestagut/ Zelenskyy kritikon Berlinin, duartrokitet nga deputetët

“Njerëzit në Ukrainë duan të jetojnë të lirë dhe të mos i nënshtrohen një vendi tjetër”. Kështu u shpreh presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një video-mesazh drejtuar deptuetëve gjermanë në Bundestag. Ai tha se njerëzit në vendin e tij, civilët dhe ushtarët, janë tani pa dallim objektiv i sulmeve ruse. Deputetët e Bundestagut gjerman u ngritën në këmbë përpara fjalimit dhe përshëndetën presidentin ukrainas, i cili ditët e kaluara ka folur përmes videos edhe para deputetëve ameikanë, britanikë dhe kanadezë. Deputetët gjermanë e përshëndetën fjalimin e tij në fund me duartrokitje të gjata.

“Rrëzoni murin rus”

Zelenskyy kritikoi Gjermaninë se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar luftën. Gjermania ndihmoi në ndërtimin e një muri rus për të izoluar Ukrainën, tha ai. Si shembull, ai përmendi  tubacionin e ndërtuar në Detin Baltik Nord Stream 2 dhe refuzimin e Perëndimit që Ukraina të jetë anëtare e NATO-s. Në fund të fjalimit të tij dhjetëminutësh, Selenskyj i bëri thirrje kancelarit Olaf Scholz: “Rrëzoni këtë mur, na mbështetni”.

Presidenti i Ukrainës tha se forcat ruse kanë sulmuar dhe po sulmojnë objektiva civile në vendin e tij, spitale, vendstrehime për fëmijë dhe godina civile. Në veçanti përmendi edhe sulmin ndaj një teatri ku besohet se kanë qenë të strehuar me qindra njerëz. Ai kërkoi sanksione të reja kundër Rusisë, vendosjen e ndalimfluturimit mbi Ukrainë dhe shtoi se qindra mijëra njerëz janë duke vuajtur nën këtë agresin, pa ushqime, pa ujë dhe kushte normale për jetë. “Ju mund t’i shihni të gjitha këto vuajtje, nëse shikoni përtej murit të krijuar në këtë vend”, tha presidenti urkainas dhe i bëri thirrje Gjermanisë dhe kancelarit Scholz që të marrin përgjegjësinë që u takon dhe të ndihmojnë në parandalimin e këtyre krimeve. Presidenti ukrainas tha se në vendin e tij nuk po mbrohet vetëm Ukraina, por edhe vlerat evropiane, për të cilat flasin shumë politikanë. Por tani po shihet, sipas tij, se këto fjalë shpesh janë vetëm boshe.

Bundestagu nuk debatoi më gjatë

Kryetari i partisë CDU Friedrich Merz kërkoi që në Bundestag të hapet një debat për politikën e deritanishme gjermane në këtë konflikt, por kjo nuk u pranua nga shumica qeveritare. Zëvendëskryetarja e Bundestagut Katrin Göring-Eckardt u shpreh e tmerruar me luftën ruse kundër Ukrainës dhe shtoi se Gjermania do të dëshmojë solidaritet me Ukrainën. Ndërkohë në Gjemrani kanë mbërritur të paktën 187.000.

(Kosova Sot Online)