Doarsa Kica: Do të sigurohem që të mos tolerohen parregullësitë në përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së

  • E.K /
  • 18 March 2022 - 14:24
Doarsa Kica: Do të sigurohem që të mos tolerohen parregullësitë në përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka dhënë një sqarim për një deklaratë që bëri dje në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit të RTK-së, ku kishte thënë se njëri nga kandidatët ka marrë poena të njëjtë në të gjitha pyetjet nga tre anëtarë të ndryshëm të bordit, duke e cilësuar këtë si “koincidencë të pazakontë”.

Ajo tha se pas postimit të djeshëm sot ka biseduar me disa nga monitoruesit e këtij procesi dhe me disa anëtarë të Bordit për të parë nëse ka pasë parregullësi.

“Nga ajo që kam kuptuar deri tani, është që procesi i intervistimit me gojë, është nesër. Poenat finale të kandidatëve, do të jenë poenat e kombinuara të testit me shkrim, dhe me gojë. Testimi me shkrim dhe me gojë, është obligim që rrjedh nga rregulloret e RTK-së. Njëlloj kombinimi i dy testeve për rezultate finale. Kandidatëve, pa dallim, i është ofruar mundësia e sqarimit të pikëve (që përfshin edhe pikët identike). Ka pasur kandidat që kanë kaluar deri në një orë me kërkesa për sqarime lidhur me pikët e tyre”, ka sqaruar Kica.

Por, ajo tha se statusi i saj i djeshëm nuk duhet “në asnjë moment të perceptohet si anim nga njëri kandidat apo tjetri, e aq më pak në vlerësim ndryshe të kandidatit të poentuar njëlloj nga tre anëtarë”, derisa u zotua se do të sigurohet që të mos tolerohen parregullësitë.

“Me ngulm edhe më të madh, do të sigurohem që të mos tolerohen tentativat për ndikime, çfarëdo e nga kushdo qofshin ato, dhe jo vetëm të mos i toleroj, por t’i raportoj”.

(Kosova Sot Online)