Rruga e integrimit në BE për Kosovën dhe Shqipërinë e bllokuar nga lidhjet e fuqishme të krimit të organizuar!

Rruga e integrimit në BE për Kosovën dhe Shqipërinë e bllokuar nga lidhjet e fuqishme të krimit të organizuar!

Gani Qarri

  • 18 March 2022 - 07:45

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Mjerisht gjithë kjo katrahurë e shkaktuar në pikat kufitare, po dëshmon edhe njëherë më tepër, se pushteti i inkriminuar andej dhe këndej kufirit, i ka shfrytëzuar dhe vazhdon ti keqpërdorë në mënyrën më të paskrupullt, liritë e lëvizjes për shtrirjen dhe thellimin e krimit të organizuar.

Operacioni i koduar me emrin “Pika” i cili nisi qysh në orët e hershme të mëngjesit të ditës së hënë në Gjakovë dhe Prizren, ka rezultuar me arrestimin e hiq më pak se 48 zyrtarëve policor dhe dy doganierëve në pikat kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, fakte që dëshmojnë se krimi i organizuar, në vend se të luftohet dhe çrrënjoset me themel në të dy anët, ai ishte instaluar deri në maje të kupolës së shtetit edhe në Kosovën e udhëhequr prej partive të inkriminuara.

Ndërsa se sa i rrezikshëm është kontaminimi i krimit të organizuar, i cili ka kohë që ka filluar të praktikohet edhe në Kosovë, sipas modeleve nga shteti amë, duke prekur institucionet më të ndjeshme të shtetit si policia dhe doganat, e vërtetoi edhe vet rasti skandaloz i burgosjes së dhjetëra zyrtarëve të policisë së Kosovës të cilët në bashkëpunim me kolegët nga Shqipëria në kufirin mes dy vendeve në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, dyshohet se janë involvuar në të gjitha llojet e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për aq më tepër dosja e pjesshme e Prokurorisë për policët e arrestuar në operacionin “Pika” zbulon se si ata janë përfshirë në dhjetëra vepra kriminale, si; pjesëmarrja dhe organizim i grupit kriminal”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit “, “Kontrabandimi i mallrave”, janë disa nga veprat penale për të cilat dyshohen 25 zyrtarët dhe kundër tyre, Prokuroria e shtetit ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit. Ndërsa zyrtarët e akuzuar, sipas Prokurorisë, prej muajit gusht deri në dhjetor të viti 2021, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare-Përendemi me detyrë në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit, në vazhdimësi kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.

Prokuroria Speciale e Kosovës me 7 shkurt të këtij viti kishe pranuar kallëzimin penal nga Inspektorati Policor (IPK), për zyrtarët e lartë cekur të cilët herë individualisht e herë në mënyre të organizuar, në vijimësi kishin keqpërdorur pozitën zyrtare duke pranuar ryshfet nga qytetaret e Republikës së Kosovës dhe ata të Shqipërisë, për t`ua ua mundësuar të hyrjen në Kosovë duke iu shmangur pagesave dhe tarifave doganore. Kurse me 1 qershor 2021, Prokurori i Shtetit kishte nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj të pandehurve tjerë me dyshimin se kanë kryer veprën penale për të cilën është ngritur kallëzimi kundër tyre. Ndërsa me 15 tetor të po atij viti Prokurori kishte nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve duke i përfshirë edhe të pandehurit e lartcekur dhe për shkak të dyshimeve të shënuara në dispozitiv, nga ana e prokurorisë ishin zgjeruar hetimet, deri në ditën kur u ndërmor vendimi për aksion, siç bëri me dije edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një komunikate për medie, që me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Pika” duke filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Gjakovë dhe Prizren dhe rezultuar me arrestimin e mese 50 personave zyrtar. Sipas njoftimit të IPK-së, operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë për “marrje të ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pra kjo është edhe një dëshmi e pa kontestueshme e cila flet hapur dhe paralajmëron publikisht, rrezikun e madh të përhapjes edhe në Kosovë, të krimit, sipas modelit që tash e sa vite, ka kapluar gjithë Shqipërinë, pikërisht për shkak të neglizhencës disavjeçare të institucioneve të sigurisë për ti luftuar dhe parandaluar lidhjet e rrjeteve të krimit të organizuar në të dy anët e kufirit. Madje rasti më i ri i arrestimit të 50 zyrtarëve policorë, nxori në pah se në këtë krim, ka kohë që janë involvuar edhe grupe individësh nga strukturat e sigurisë dhe policisë kufitare, si dhe zyrtar të tjerë nga shërbimet dyanësore doganore.

Mjerisht gjithë kjo katrahurë e shkaktuar në pikat kufitare, po dëshmon edhe njëherë më tepër, se pushteti i inkriminuar andej dhe këndej kufirit, i ka shfrytëzuar dhe vazhdon ti keqpërdorë në mënyrën më të paskrupullt, liritë e lëvizjes për shtrirjen dhe thellimin e krimit të organizuar. Akt i paturpshëm që jo vetëm pengon ,por edhe pamundëson dhe ndalon tërësisht, hyrjen e shteteve shqiptare në Evropën e bashkuar, përderisa faktet dëshmojnë se krimi i organizuar, në vend se të luftohet dhe çrrënjoset me themel, ai sa vije e thellohet dhe shtrihet e zgjerohet, pa asnjë pengesë në të dy anët e shteteve tona, i cili tanimë po shihet qartë, se ishte instaluar deri në maje të kupolës së shtetit edhe në Kosovën e udhëhequr nga partitë e inkriminuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online”