Fenomeni i pazakontë i tërheqjes së detit ndodh edhe në Vlorë, batica nxjerr çfarë fshihej nën ujë

  • E.K /
  • 22 March 2022 - 15:41
Fenomeni i pazakontë i tërheqjes së detit ndodh edhe në Vlorë, batica nxjerr çfarë fshihej nën ujë

Pas Shëngjinit, edhe në bregdetin e Vlorës ka ndodhur fenomeni i rrallë i tërheqjes së detit me disa metra.

Gazetarja e Panorama, Arisa Liço ka siguruar pamjet e tërheqjes së detit, që ka tërhequr vëmendjen e vlonjatëve dhe vizitorëve në qytetin jugor.

Në video shihen varkat e peshkatarëve në rërë, që supozohen të ishin brenda ujit, të cilat janë disa metra larg detit pas baticës.

Ndërkohë i njëjti fenomen ka ndodhur edhe në bregdetin e Shëngjinit. Teksa vitin e kaluar deti po avanconte duke “gllabëruar” rërën dhe pishat pranë bregut, këtë vit ndodhi fenomeni i kundërt.

Prej 5 ditësh, deti është tërhequr me disa metra në zonën e plazhit, duke bërë që lokalet dhe objekte të tjera që ishin të ngritura mbi ujë të dalin zbuluar në sipërfaqe.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë thotë se një fenomen i tillë ndodh si pasojë e tërheqjes magnetike nga hëna.

“Fenomeni i tillë ndodh si pasojë e ndikimit të tërheqjes së hënës, niveli i ujit në oqeane pëson lëkundje periodike. Periudha e këtyre lëkundjeve është pak më e madhe ose më e vogël se njëzet e katër orë. Gjatë kësaj periudhe, niveli i ujit në det dy herë ngrihet pakëz dhe dy herë ulet. Me një fjalë, fenomeni i baticave e i zbaticave është shumë i ndërlikuar. Meqenëse, përveç hënës, në të ndikojnë edhe shumë faktorë nga më të ndryshmet dhe në radhë të parë lëvizja e diellit ndikim të madh ka në pranverë”, thotë Xhani.

(Kosova Sot Online)