Rrëfimi i gruas që jeton në Tiranë: Ukraina nuk ia fal Putinit vrasjen e fëmijëve

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 08:25
Rrëfimi i gruas që jeton në Tiranë: Ukraina nuk ia fal Putinit vrasjen e fëmijëve

Rrëfim ekskluziv për DW i Irina Romanovës, që jeton prej disa vitesh në Tiranë dhe e përjeton luftën në atdheun e saj më shumë nga bisedat me nënën dhe të afërmit në vendlindje, sesa nga lajmet dhe kronikat televizive.

Sulmi rus me raketa, në mëngjesin e të hënës (21.03) mbi terrenin stërvitor ushtarak në qytetin Rivne, në Ukrainën Perëndimore, i solli Irina Romanovës në Tiranë, orë të vështira ankthi, frike dhe shprese. Në Rivne banon nëna e saj, që ka vendosur të qëndrojë atje, qoftë edhe me ꞔmimin e jetës. “Për fat është gjallë, raketat ruse ranë disa kilometra larg zonës ku banon nëna ime,“ më thotë Irina që mora në telefon, sapo lexove lajmin e sulmit rus me raketa në vendlindjen e saj.

Vetëm një javë më parë në Rivne, rreth 160 kilometra në kufi me Poloninë, mbetën të vrarë 20 civilë dhe u shkatërrua nga raketat ruse kulla e TV lokal, e ndërtuar 55 vjet më parë.

Jetë njerëzish dhe fëmijësh të hedhura në erë

Irina e përjeton luftën në atdheun e saj më shume nga bisedat me nënën dhe të afërmit në vendlindje, sesa nga lajmet dhe kronikat televizive.

Image

Irina Romanova

“Mjerim i madh, jetë njerëzish dhe fëmijësh të hedhura në erë nga bombardimet, infrastrukturë e shkatërruar, varre masive, banesa, shkolla spitale të rrënuara. Gra dhe fëmijë që ikin nga sytë këmbë për të shpëtuar jetën. Por nëna ime nuk do të largohet . Kur i them eja në Tiranë më përgjigjet që nuk e lë vendin dhe popullin tim në këtë luftë e krizë të tmerrshme” thotë Irina për DW.

Image

Sipas të dhënave të OKB-së që nga fillimi i agresionit rus, muajin e kaluar më 24 shkurt, e deri tani janë zhvendosur jashtë Ukrainës rreth 12 milion vetë dhe 2 milion brenda saj, janë bombarduar 43 objekte të kujdesit shëndetësor.

“Përballë këtij shkatërrimi Ukraina po qëndron, nuk dorëzohet, Agresioni rus na ka bërë bashkë kundër Putinit. Jemi të gjithë në fushë betejë, pavarësisht nga pozicioni shoqëror. Jemi një komb që nuk ka sulmuar askënd, që e ka mbrojtur tokën e tij deri në pikën e fundit të gjakut. Janë dy gjëra të ndryshme: të dorëzosh qytetin dhe ta pushtosh atë. Nuk ia falim kurrë Putimit vrasjen e fëmijëve të Ukrainës. Kemi luftuar kundër nazizmit, tani luftojmë kundër Putinit. Kievi edhe po të bjerë nuk do të mbetët kurrë i pushtuar” thotë për DW, Irina Romanova.

Image

Irina, 35 vjeç, ka mbaruar studimet në Ukrainë për inxhiniere mjedisi. Bursa që fitoi për kualifikim në Skoci i ndryshoi jetën. Atje dashurohet me një djalë nga Shqipëria, martohet dhe vendos të jetojë dhe punojë në Tiranë, ku banon tashmë prej 11 vjetësh.

Rusia – historikisht gjenocid ndaj Ukrainës,

Me një shqipe të qartë Irina tregon për DW historinë e familjes së saj në Ukrainë.

“Vij nga një familje që i ka mbijetuar persekutimit të regjimit komunist. Gjyshi im nga babai ishte rus kurse gjyshja cigane nga Ukraina. Gjyshi, i lindur në rrethinat e Moskës, luftoi kundër pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, u plagos rëndë dhe humbi dritën e syve. Por në kohën e Stalinit dhe të diktatorëve komunistë që pasuan atë, familja e babait tim u persekutua me akuzën se kishte bashkëpunuar me nazistët, meqë gjyshja ime cigane kishte mbetur gjallë!”

Irina thekson se “Rusia historikisht ka synuar të pushtojë dhe ta mbajë nën kontroll Ukrainën. Në kohën e ish-Bashkimi Sovjetik, ukrainasit trajtoheshin si qytetarë të kategorisë së dytë dhe u mohohej identiteti kombëtar. Pikërisht në prag të agresionit Putini deklaroi se “Ukraina nuk ka pasur kurrë kombësinë e saj autentike.”

Image

Kur në vitin 1932 në ish-Bashkimin Sovjetik ra prodhimi i grurit për shkak të kolektivizimit, që shkaktoi krizën e thellë të urisë, 1932-1933, katër milionë ukrainas etnikë vdiqën nga uria. Kriza shfarosëse e urisë në Ukrainë u fsheh nga Stalini dhe ata që erdhën pas tij për 90 vjet me radhë. Vetëm para tri vitesh, më 2019, ajo u njoh nga 16 vende, SHBA dhe Vatikani si “gjenocid nga Stalini kundër ukrainasve.” /DW/

(Kosova Sot Online)