Reciprociteti me Serbinë, Kurti: Ndoshta nuk është puna më e mençur që t’i tregojmë Serbisë datën

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 11:57
Reciprociteti me Serbinë, Kurti: Ndoshta nuk është puna më e mençur që t’i tregojmë Serbisë datën

Një njëvjetorin e Qeverisë Kurti 2, kryeministri Albin Kurti, është pyetur për premtimin e tij për vënien e reciprocitetit me Serbinë. Përgjigje direkte se kur do të vendoset reciprociteti s’ka dhënë, por ka thënë se janë intensifikuar përgatitjet.

Kur është pyetur nëse kjo është çështje javësh apo muajsh, Kurti ka thënë se nuk e di, por se edhe nuk është e menqur që t’i tregohet Serbisë data.

“Nuk e di përbesë. Duhet të ulemi e të flasim për këtë çështje me Ministren e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, por jo vetëm, në mënyrë që ta dijmë se kur saktë do ta zbatojmë. Ndoshta nuk është edhe puna më e mençur që t’i tregojmë Serbisë datën”, ka deklaruar Kurti.

Tek kjo pjesë ai e ka përmendur edhe çështjen se si Serbia nuk i njeh dokumentet e Kosovës.

“Thjeshtë, deri kur duhet ta tolerojmë situatën në të cilën, të zëmë letënjoftimet e Serbisë shumë kollaj vijnë në Kosovë, po nëse shkon me letërnjoftim të Kosovës në Serbi, ata t’i thithin bio të dhënat nga karta e identitetit dhe më pastaj ta japin një copë letër në të cilën të shkruan që e humbur letërnjoftimin e Serbisë, pra të shekullit të kaluar. Integrimet evropiane, Bashkimi Evropian, procesi i Berlinit, tregu i përbashkët rajonal, që të të gjitha këto kanë nevojë për njohjen e dokumentave të Kosovës nga ana e Serbisë, të diplomave, çertifikatave e kështu me rradhë”, ka thënë Kurti në RTK.

Ai ka përmendur edhe një bisedë që e kishte pasur me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një takimi në Slloveni, ku thotë se nga pyetja që ia kishte bërë, ai kishte mbetur i hutuar.

Thotë se nëse Serbia nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës, atëherë reciprociteti mund të ndihmojë në këtë pjesë.

“Në një takim që e kemi pasur në Slloveni, ku kanë qenë krerët e shteteve evropiane, në një prej takimeve të zhvilluara, unë i pata thënë Presidentit të Serbisë, se ai u ankua që nëse unë njoh dokumentet e Kosovës, po e njoh Pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që është mirë ta njeh pavarësinë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë është mirë. Mirëpo, nuk është e vërtetë që nëse Serbia e njeh letërnjoftimin e Kosovës e njeh edhe pavarësinë e Kosovës. Unë i thash, a dëshiron t’i bashkohesh Bashkimit Evropian, ai u hutua, nuk e dinte çka po e pyes e ku dua të dalë. Thash nëse do t’I bashkohesh BE’së, minimalisht duhet t’iu bashkohesh shteteve mosnjohëse, Sllovakia, Rumania dhe Greqia e pranojnë pasaportën e Republikës së Kosovës, edhe nëse nuk e njohin pavarësinë.

Dhe mendoj që jo vetëm në aspektin tregtar, por mendoj që është e domosdoshme që të ndërroj qasja e Serbisë ndaj Kosovës. Nëse nuk ndryshon për shkak se do të hyjë në Bashkimin Evropian, atëherë besoj që edhe reciprociteti mund të ndihmojë”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)