Kurti “qorton” Dalipin: Ai është si aktivist politik, mediat mund t’i ndihmojmë me fonde për trajnime

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 12:09
Kurti “qorton” Dalipin: Ai është si aktivist politik, mediat mund t’i ndihmojmë me fonde për trajnime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur në RTK për sulmin që ua ka bërë mediave shefi i stafit të tij Luan Dalipi, duke i krahasur mediat me kompani të kriminalizuara. Kryeministri Kurti beson se ka media që bëjnë punë të mirë dhe se nuk duhet të flitet në mënyrë të tillë për të gjitha mediat.

Teksa flet për sulmin që Luan Dalipi ia ka bërë mediave, Kurti thotë se Dalipi është si aktivist politik.

Gjithashtu thekson se ai vetë përkrahë idenë që Qeveria e Kosovës t’i ndihmojë me fonde për trajnime për gazetari hulumtuese punonjësit e mediave.

“Shefi i stafit tim është pak edhe si aktivist politik është e vërtetë kjo punë, por, unë nuk kisha dashur që të gjitha mediat të konsiderohen të njëjta sepse s’janë. Unë besoj që shumë media bëjnë punë të mirë, por në të njëjtën kohë besoj që ka edhe edhe shumë tendenca të cilët nuk kanë për qëllim informimin e publikut por më shumë denigrimin e dikujt të përveçëm. Por kjo nuk do të thotë që ne kështu mendojmë për mediat. Në anën tjetër është e vërtetë që Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk i reklamon logot e ministrive të veta nëpër portale online. Ka ndodhur në të kaluarën ne këtë e dimë, ministria e caktuar reklamohet në filan portalin, une mendoj që kjo është gjë e gabueshme”, tha Kurti, transmeton Gazeta Express.

“Pra unë jam që Qeveria e Kosovës nëse ka nevojë t’i ndihmojë me fonde e trajnime për gazetari hulumtuese punonjësit tanë të mediave”, shprehet Kurti.

Sipas Kurtit, në portale nuk kanë nevojë të reklamohen ministritë sepse janë mjaftueshëm të famshme.

“Besoj që është e rëndësishme të thuhet në mënyrë konkrete për secilën çka mendon, nuk mund t’i barazosh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia është ndryshe. Nuk mund t’i barazosh të gjitha partitë politike, naj deputet naj kryetar naj dubjekt është ndryshe. Të gjithë kanë të drejta, të gjithë kanë obligime, por duke i bërë të gjithë bashkë e bëjmë edhe gabimin që e përsërit gabimin e dikujt që është i ndryshëm prej atyre që po i bëjmë bashkë. Pra unë jam që Qeveria e Kosovës nëse ka nevojë t’i ndihmojë me fonde e trajnime për gazetari hulumtuese punonjësit tanë të mediave. Unë jam për. Por nuk jam për që ministritë tona të reklamohen nëpër portale, mjaftueshëm është e famshme Ministria e Bujqësisë, ose ministria e Shëndetësisë. Nuk ka nevojë me u reklamu, në të kaluarën kanë ndodhur edhe këso gjërash. Ajo epokë me siguri që po merr fund. Por kjo neve nuk na jep të drejtën që të themi të gjitha mediat janë njësoj. Në anën tjetër jetojmë në një kohë të vështirë, e ka thënë edhe presidenti Biden, armiku më i madh është dezinformata, jo tankset”, u shpreh ai tutje.

Tutje, Kurti mori edhe një shembull që sipas tij, dezinformata është e rrezikshme edhe për sigurinë nacionale.

“Pra, kur dikush denoncohet si dezinformues nuk do të duhej të vazhdojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Këtë nuk po e them vetëm për shkak të të drejtës së informimit, por edhe për shkak të Sigurisë Nacionale. Kur ka qenë rasti i targave në Jarinjë dhe Bërnjak, unë kam pa lajme në portale “Serbët nuk zbrapsen”, e hapa portalin ishte një vinç, një flamur serb një person i vetëm dhe një melodi e folklorit serb. Ai është portal, policit tonë i cili është në pikën kufitare po i thua “serbët nuk zbrapsen”. Dmth është tendencë”, tha ai.

Kujtojmë se para dy ditësh shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook ka sulmuar mediat, konkretisht ato online. Sipas Dalipit mediat ngjasojnë me kompani të kriminalizuara.

Shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi, thotë se Qeveria Kurti ka ndërprerë kontratat me portalet, pasi sipas tij, kjo metodë është aplikuar nga ish-qeveritarët për të “blerë” heshtjen e portaleve.

Më pas, Asociacioni i Gazëtarve të Kosovës përmes një komunikatë për media ka dënuar sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ndaj mediave.

Në komunikatë thuhet se Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”.

Lexoni komunikatën e plotë të AGK-së:

AGK-ja dënon sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ndaj medieve

Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim. 

Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend. 

(Kosova Sot Online)