Biden arrin në samitin urgjent të NATO-s

  • E.K /
  • 24 March 2022 - 11:17
Biden arrin në samitin urgjent të NATO-s

Presidenti amerikan Joe Biden ka arritur në Bruksel për në samitin urgjent të NATO-s për t’iu përgjigjur luftës në Ukrainë, një vizitë e rëndësishme në kohën kur Perëndimi vazhdon të përballet me mënyrën se si të pengojë pushtimin e Rusisë.

Biden do të ketë një takim të shkurtër me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe  një fotografi të përbashkët me liderët e tjerë të NATO-s, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidentin francez Emmanuel Macron, ndër të tjera.

Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, Biden do të “diskutojë përpjekjet e vazhdueshme të parandalimit dhe mbrojtjes” gjatë samitit të NATO-s dhe të riafirmojë angazhimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj në NATO.

Biden është i vendosur për të sanksionuar figura politike dhe oligarkë rusë gjatë samiteve, ka thënë Shtëpia e Bardhë. Përpara takimeve kryesore të së enjtes në Bruksel, qeveria amerikane gjithashtu deklaroi zyrtarisht se ushtria ruse ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Po ashtu, një takim do të mbahet në Këshillin Europian dhe në G7, të enjten.

(Kosova Sot Online)