
Blinken për Albright: Meritore për çlirimin dhe mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës

Pas lajmit të hidhur për vdekjen e ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, burri që sot mban këtë pozitë, Antony Blinken, reagoi me një adresim për vdekjen e saj, siç e quajti ai, mentores së tij, ndërsa ka theksuar se ishte meritore për rolin e saj në çlirimin e Kosovës.
Sekretari Blinken në këtë adresim pati fjalë të mëdha për zonjën e parë që mbajti pozitën e kryediplomates amerikane, duke e quajtur një grua të mirë që e donte Amerikën. Ndër të tjera, ai e përmendi edhe rolin e saj në çlirimin e Kosovës.
“Bota dhe Amerika e vajtojnë sot humbjen e Madeleine Albright”, tha Sekretari Blinken.
Blinken përmendi edhe prejardhjen Albright, duke theksuar se ikja e saj nga nazistët e formësoi atë si kundërshtare të tiranisë.
“Duke qenë se ajo ishte refugjate nga Çekia dhe vetë i pa tmerret e luftës, ajo besoi se SHBA’ja duhet gjithmonë të reagojë me forcë ndaj tiranëve dhe diktatorëve.”, tha Blinken.
“Falë saj Polonia, Hungaria dhe Çekia iu bashkuan NATO’s”, tha Blinken.
Më pas përmendi edhe angazhimin e saj në çlirimin e Kosovës, duke thënë se ajo ishte meritore për çlirimin dhe mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës ndaj agresionit serb.
“Falë saj, SHBA’ja mbrojti shqiptarët kundër agresionit serb.”, theksoi Blinken.
“Sot në Kosovë ka rrugë dhe shesh në emër të Albright dhe një bust i saj u ndërtua në kryeqytet.”, tha tutje Blinken.
Në fund tregoi edhe për marrëdhëniet e tij me zonjën Albright: “Ajo ishte pionere e diplomacisë. Unë jam njëri nga ta që përfitoi nga mençuria e saj dhe kurajo e saj”, përfundoi ai.
Zonja Madeleine Albright vdiq dje në moshën 84 vjeçare nga kanceri. Ajo shërbeu si Sekretarja e parë grua e Shtetit nga viti 1997 deri në 2001, në mandatin e dytë të presidentit Bill Clinton. Ishte pikërisht falë mundit të saj që NATO ndërhyri më 24 mars 1999 ndaj caqeve ushtarake të Serbisë, pas krimeve serbe ndaj popullatës shqiptare
(Kosova Sot Online)